Lajme
KEK-u nën ‘kthetrat’ e pushtetit, miku i aktivistit të VV-së emërohet u.d i kryeshefit
Demokracia
18:08 | 28 Shkurt 2025

Share:

Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë ta mbajë nën ndikim Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ndërmarrjen më të madhe në vend.

Gramos Hashani, një mik i Valon Prebrezës, aktivistit të LVV-së që drejton Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, është emëruar sot ushtrues i detyrës së kryeshefit.

I sapoemëruari në detyrë, Hashani do ta zëvendosjë një tjetër njeri të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Bekim Gërgurin.

Gërguri dyshohet se kishte afërsi me deputetin e pushtetit nga Obiliqi, Halil Thaçi.

Rrokadën në krye të menaxhmentit të korporatës, e ka bërë të ditur sot KEK-u në një njoftim për media.

Hashani është emëruar në këtë pozitë me vendim të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.) të KEK Sh.A., Bordi ka emëruar z. Gramos Hashani, i cili deri tani ka mbajtur pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit (ZKFTH) në KEK Sh.A. Ndërsa, në pozitën e ZKFTH (u.d.) të KEK Sh.A., është emëruar z. Gëzim Paci, i cili deri tani ka mbajtur pozitën Menaxher i Pasurisë në Divizionin e Financave” – thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Miku i Gramoz Hashanit, Valon Prebreza është udhëheqës i Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP).

Hashani e Prebreza kanë lidhje të ngushta me njëri tjetrin. Kjo dëshmohet edhe në bazë të fotografive të siguruara nga Paparaci.

Gramos Hashani, Valon Prebreza

Në kompetencat e tij, Prebreza nuk ka emërimin e drejtorëve në Ndërmarrjet Publike, megjithatë ndikimi i tij mund të jetë i lartë.

Prebreza ka afërsi me ministren Artane Rizvanolli, e cila e kishte punësuar në vitin 2023, përkundër lidhjeve të tij politike.

Si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Prebreza ishte emëruar udhëheqës i (NJPMNP) në ministrinë e Rizvanollit.

Përkundër reagimeve, ministrja Rizvanolli i kishte dalë në mbrojtje Prebrezës duke mos pranuar që t’ia bënte publike CV-në.

Artane Rizvanolli, Valon Prebreza

Ndikimin e aktivisit të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjet publike e kishin paralajmëruar qysh nga koha e emërimit të tij.

Në qershor të 2023, drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj, kishte reaguar për emërimin politik të Prebrezës në Ministrinë e Ekonomisë.

Përveç punësim politik, Hasaj kishte thënë se bëhet fjalë për një person që nuk ka as CV publike, e as nuk njihet për ndonjë përvojë si ekspert i kësaj fushe.

Të ngjashme