Korporata Energjetike e Kosovës – KEK po vazhdon të shpërblejë me tender kompaninë e cila akuzohet që e ka mashtruar në një rast. Tash si i ulur në bankën e të akuzuarve, pronari i kompanisë “Universum-M’ po mëton të lidhë kontratë të re me punëdhënësin më të madh në Kosovë – KEK, në një tender prej mbi 500 mijë euro.
Tefik Hargaja ka dy javë që është paraqitur para Gjykatës Themelore të Prishtinës, nën dyshimet se e ka mashtruar Korporatën Energjetike të Kosovës me një kontratë të lidhur në vitin 2018. Të përfshirë në aktakuzë janë edhe zyrtarë të KEK-ut.
E njëjta kompani tash po synon të bëhet bashkë pjesëmarrëse në tenderin 1.5 milion euro, të quajtur “LLOT 1- Furnizim me llamarinë dhe pjesë tjera për mullinjë në TC Kosova B; LLOT 2- Furnizim me pllaka të derdhura për mullinjë në TC Kosova B; LLOT 3- Furnizim me pllaka të derdhura për mullinjë në TC Kosova A; LLOT 4- Furnizim me llamarinë dhe pjesë tjera për mullinjë në TC Kosova A”.
Periskopi ka kërkuar sqarime tek zyra për Informim në KEK, të cilat kryesisht kanë të bëjnë më atë se si ka ndodhur që të rekomandohet një kompani e cila akuzohet që e ka mashtruar korporatën, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Tenderi nuk është nënshkruar akoma – Faza e pranimit të ankesave
Aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon zyrtarët e KEK-ut, Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.
Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Tutje, sipas aktit akuzues, më datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Agron Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KW nga pozicioni i 33-të i të njëjtës kontratë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KW nga pozicioni i 11-të i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.
Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15-të të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro. Me këtë, i pandehuri Hargaja ngarkohet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Seanca e fundit e përballjes në gjykatë është mbajtur më datë 11 Maj 2022.
Në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse. Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 28 qershor 2022.
Para pak javësh, KEK e kishte shpërblyer me një tjetër kontratë në vlerë prej 8 mijë eurove këtë kompani për tenderin me 8 copë xhuneta dhëmbzorike për ventilatorë zhytës.
Procedura e Prokurimit në tenderin 1.5 milionësh
Kjo procedurë e prokurimit është e ndarë në katër pjesë, dy kanë dështuar për shkak se siç ka shkruar prokurimi i KEK “të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”. Pra bëhet fjalë për lot 1 dhe 4.
Për lot 2 dhe 3 janë shpallur fituesit. Për 2 është shpallur fitues kompania NTP. “Xani-Inex” në një vlerë prej 325. 205,64 euro, dhe për 3 është rekomanduar kompania “Universum-M” SHPK që ka pasur ofertë 505, 917, 92 euro.
Për lot 3 kanë garuar katër kompani dhe një grup i kompanive në konzorcium, gjithsej ka pasur pesë oferta:
-“Universum-M” SHPK ka pasur ofertë 505, 917, 92 euro.
-NTP “Hekurani”, 519, 048, 96 euro.
-NTP “Naxni-Intex”, 525, 968, 48 euro.
-“Elico” SHPK, 610, 739, 69 euro.
Grupi i kompanive “B&D Enginerring” SHPK & “Novamat” Shpk, 981, 001. 97 euro.
Kritere kryesor për dhënie të kontratës ka qenë “çmimi më i lirë”. “Universum -M” ka plotësuar këtë kriter dhe është rekomanduar për kontratë, po ashtu, sipas KEK,e njëjta i ka plotësuar edhe kërkesat tjera. Kompani që i ka përmbushur të gjitha kriteret ka qenë edhe “Hekurani”, por ka pasur çmim prej rreth 14 mijë euro më të shtrenjtë.