Korporata Energjetike e Kosovës i ka dhënë tender një kompanie për furnizim me lidhëse dhe filtra për shpërndarës pneumatik të ajrit.
Filtrat për të cilët në kohën e krizës energjetike i përmendte kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës do të merren nga kompania “Profitech” SH.P.K, shkruan Demokracia.
Tenderi ka vlerë minimale. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 632 euro.
Tenderi është fituar nga kompania “Profitech” SH.P.K. dhe kjo kontratë nuk mund të nënkontraktohet.
Kontrata është nënshkruar me datën 21 prill 2022.
Kurti, tre muaj më parë kur vendi po përballej me një krizë të rëndë energjetike, fliste për turbina, filtera dhe bojlera.
Ai u deklarua kështu në momentin kur u tha nga deputetët se ka rënë menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Nuk ka ra menaxhmenti, por turbina, a e kuptoni? Lopatat e rotorit të gjeneratorit në B2 janë copëtuar, për shkak të shtypjes së avullit. Avulli i ka copëtuar lopatat e vjetruara që e kanë dëmtuar. Nuk ka ra menaxhmenti, por turbina”.
“Sa i përket filterave, ata kanë dashur të instalojnë filtera, por kur kanë shkuar aty e kanë parë që është llom, duhet një herë bojlerat e tani filterat e ju s’i keni bo as filerat e as bojlerat. Nuk ka filtera pa bojlera e tash do t’i vendosim bojlerat, që t’i vendosim edhe filterat”, tha Kurti. /Demokracia.com/
Kurti – opozitës: Ju s’i keni bë as bojlerat, as filterat, e pa filtera s’ka bojlera from Ekonomia Online on Vimeo.