Korporata Energjetike e Kosovës- KEK ka tentuar të nënshkruajë një kontratë me negocim me kompaninë “Exfis” për furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazut (Fuel Oil 1.0%), por u tërhoq në momentin e fundit. KEK po rrezikon të mbetet pa furnizim të nevojshëm për kaldajë – mazut, një material që është i domosdoshëm për operacionet e saj, shkruan Demokracia.com.
Kontrata e rregullt e tenderit për këtë furnizim, e cila ka një vlerë të konsiderueshme, aktualisht ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Pasi tenderi i rregullt është i stopuar që mbi një vit, KEK-u ka qenë në negociata për këtë tender dhe ka propozuar një kontratë me negocim për një sasi të kufizuar me kompaninë “Exfis”.
Më 19 mars 2025, korporata ka njoftuar se ka mbajtur negociata me “Exfis” për këtë tender, por më pas është kthyer prapa duke anuluar aktivitetin e prokurimit. Arsyeja e anulimit ishte mungesa e rikonfirmimit të mjeteve financiare sipas rregullave të Rregullores për Prokurimin Publik.
Megjithatë, ky vendim për tërheqjen erdhi në një moment kur dyshohet se hetime kanë filluar në lidhje me këtë çështje. Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Organit Shqyrtues i Prokurimit ka shfaqur dyshime se kompania “Exfis” mund të ketë përdorur një nënshkrim të falsifikuar në dokumentet e ofertimit për këtë tender të KEK-ut. Edhe pse ky dyshim nuk është dërguar për hetim, KEK-u ka refuzuar rekomandimet e OSHP-së dhe ka vazhduar përpara me procedurat për kontratën me “Exfis” . Në rekomandimet e fundit, OSHP ka sugjeruar Komisionit Rregullator të Prokurimit që tërhiqet licenca e shefit të prokurimit të KEK-ut dhe të vendoset një gjobë prej 10 mijë eurosh.
Demokracia.com gjithashtu ka mësuar se pritet të aktivizohet hetuesia për të hetuar më tej dyshimet për falsifikimin e nënshkrimit në dokumentacionin e ofertimit. Në këtë kohë, Komisioni Rregullator i Prokurimit po shqyrton vendimin e OSHP-së për tërheqjen e licencës së shefit të prokurimit të KEK-ut. /Demokracia.com/
Tenderi milionësh i KEK-ut, hetuesia mund të aktivizohet pas dyshimeve për falsifikim