Lajme
KEK në kolaps, vetëm një bllok po prodhon energji, Kosova futet në krizë të rëndë energjetike
Demokracia
11:16 | 09 Prill 2025

Share:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është futur në një nga krizat më të rënda të mujave të fundit. Nga pesë blloqet prodhuese të dy termocentraleve – Kosova A dhe Kosova B, aktualisht në funksion është vetëm një bllok: A4 i Termocentralit Kosova A, shkruan Demokracia.com.

Sipas burimeve të Demokracia.com, ky bllok është duke prodhuar vetëm 115 megavatë orë (MW) energji elektrike, ndërsa 68 MW të tjera po sigurohen nga burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE).

Në total, Kosova aktualisht prodhon vetëm 183 MW energji, një shifër shumë e ulët krahasuar me nevojat reale të vendit.

Kërkesa për energji elektrike ka pësuar rritje për shkak të uljes së temperaturave, duke arritur në rreth 900 MW. Diferenca e madhe mes prodhimit dhe kërkesës po mbulohet përmes importit nga kompania furnizuese KESCO, e cila tashmë ka apeluar për kursim të energjisë elektrike. Sipas njoftimit të kësaj kompanie, për shkak të kufizimeve të theksuara në prodhim, e gjithë kërkesa është duke u përmbushur përmes importit.

KEK ka njoftuar mbrëmë se njësia A3 e Termocentralit Kosova A është ndalur nga prodhimi, për shkak të një problemi serioz me humbje të ujit. Në një komunikatë për media, KEK ka bërë të ditur se ndalja ka ndodhur më 8 prill 2025 në orën 23:59, si masë parandaluese për të shmangur një defekt më të madh në sistem.

“Në lidhje me këtë, KEK ka njoftuar me kohë Kompaninë e Distribuimit të Energjisë Elektrike dhe ka marrë masa që kapacitetet e njësisë A3 të mos nominohen për ditën e nesërme. Ekipet tona të ekspertëve janë në gatishmëri për të identifikuar dhe sanuar çdo defekt që mund të jetë shkaktar i këtij problemi, sapo të krijohen kushtet (pas ftohjes së njësisë), për të rikthyer njësinë në funksion në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Po ashtu, disa ditë më parë KEK ka njoftuar se edhe njësia gjeneruese B-1 e Termocentralit Kosova B është në remont të rregullt vjetor, i cili ka nisur më 23 mars dhe do të zgjasë deri më 26 prill 2025. Kjo njësi është jashtë funksionit në bazë të planifikimeve të parashikuara në bilancin energjetik vjetor.

Megjithatë, për blloqet e tjera të Termocentraleve nuk ka asnjë njoftim zyrtar.

Çmimi i energjisë elektrike është rritur për 15 për qind, dhe një nga arsyet kryesore që është përmendur nga autoritetet është pikërisht importi i madh i energjisë elektrike, si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025