Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka injoruar dy vendime të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për të favorizuar një kompani që ka lidhje me partinë në pushtet. Mosrespektimi i këtyre vendimeve nga ana e KEK-ut do t’i kushtojë kësaj korporate me një gjobë të konsiderueshme prej 10 mijë eurosh, si dhe me iniciimin e procedurave për tërheqjen e certifikatës së prokurimit ndaj shefit të prokurimit të KEK-ut, shkruan Demokracia.com.
Vendimi i fundit i OSHP-së, përveç shqiptimit të gjobës ndaj KEK-ut, përmban edhe rekomandimin për revokimin e certifikatës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit. Megjithatë, vendimin përfundimtar për këtë çështje duhet ta marrë Bordi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Ky vendim i OSHP-së është marrë pas moszbatimit nga KEK-u të dy vendimeve të mëhershme lidhur me tenderin “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazut (Fuel Oil 1.0%)”, ku Autoriteti Kontraktues kishte shpallur fituese një kompani e cila paraprakisht ishte vlerësuar si e papërgjegjshme, dhe ndaj së cilës ishte kërkuar përjashtimi nga procedurat.
Demokracia.com kishte raportuar para disa ditëve që KEK-u po rrezikonte të gjobitej dhe të largonte nga funksioni shefin e prokurimit, pasi mund t’i revokohet certifikata.
KEK injoron dy vendime të OSHP-së, rrezikon tërheqjen e licencës së shefit të prokurimit
Si nisi procesi
Me datën: 05 shkurt 2025, OE Patroni Sh.P.K, ka ripërsëritur ankesën në OSHP kundër njoftimit për anulim të aktivitetit te prokurimit: Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazut( Fuel Oil 1.0% ) iniciuar nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Autoriteti kontraktues ka zbatuar procedura të hapur, lloji i kontratës furnizim, vlera e parashikuar e kontratës: 6,650,000.00 euro
Më pas OSHP ka angazhuar ekspertin shqyrtues të prokurimit që në pajtim nenin 113 të LPP-së, ta bëjë shqyrtimin fillestar të dosjes dhe pretendimeve ankimore i cili në raportin e datës 21/02/2025 ka rekomanduar që: Të aprovohet ankesa e OE ankues, si dhe kjo çështje sipas ekspertit është çështje e gjykuar.
Konstatimi i ekspertit shqyrtues: “Eksperti shqyrtues sqaron se pretendimet e OE ankues ne këtë aktivitet te prokurimit janë pretendimet e njëjta te cilat janë trajtuar edhe ne vendimin e PSH 2024/0513 dhe 2024/0970. Pas administrimit te provave, vendimet e PSH eksperti shqyrtues vlerëson se për aktivitetin e prokurimit dhe pretendimet e OE ankues për këtë aktivitet te prokurimit janë marrë dy vendime te OSHP-se, ndërsa duke ju referuar vendimit 2024/0970 citoj “Paneli vlerëson se Autoriteti Kontraktues – Korporata Energjetike e Kosovës , zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjate vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marr për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, ku në bazë të këtij vendimi konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veproj konform nenit 52.7 të LPP. Rrjedhimisht, AK pasi që ka kthyer lëndën në ri-vlerësim, prapë e shpallë OE e njëjtë të rekomanduar për kontratë që sipas vendimit të OSHP i cila ka marrur formën e prerë është i papërgjegjshëm. Me këtë rast AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mos respektimi i vendime të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik”. Përfundimisht bazuar ne nenin 119 te LPP-se si dhe sqarimet e dhëna përmes emalimit te OSHP-se te datës 20.09.2024 vendimet e PSH OSHP-së, janë të plotfuqishme dhe të njëjtat mund të atakohen në gjykate sipas këshillës juridike vetëm nga palët e pakënaqur, prandaj eksperti shqyrtues vlerëson se këto pretendime duhet të konsiderohen si çështje të gjykuara “res judicata”.
Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit shqyrtues që lënda të trajtohet si çështje e gjykuar sipas vendimeve paraprake të OSHP-së.
Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, panelit shqyrtues e vlerëson si të bazuar ankesën e OE ankues Patroni Sh.P.K. Në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, për raste të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i panelit shqyrtues duhet të trajtoj si çështje të gjykuar “res judicata”.
Paneli konstatoi se Korporata Energjetike e Kosovës sh.a, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjate vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marr për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, si dhe vendimin nr. 2024/0970 të datës 11.12.2024. Në bazë të vendimit nr. 2024/0513 konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veproj konform nenit 52.7 të LPP. Si dhe me vendimin 2024/0970 PSH ka konstatuar se kjo çështje të trajtohet si çështje e gjykuar dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim, Me çrast OSHP-ja urdhëron Autoritetin Kontraktues (AK) – “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, që të ndërmarr masa për zbatimin e vendimit të lartpërmendur në afat prej pesë ditësh, mos respektimi i këtij urdhri, në afat prej pesë ditësh kalendarike, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të respektoj nenin 131 të LPP-së dhe njëkohësisht do të kërkojë nga KRPP-ja që ti anulojë licencën menaxherit të prokurimit të Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, në pajtim me nenin 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.
Pas analizimit të shkresave të lartpërmendura të cilat i kishte në dispozicion Paneli Shqyrtues, si: Ankesat e OE ankues, raportet e ekspertit shqyrtues, vendimin nr.2024/0513, nr. 2024/0970, shihet se AK përsëri nuk kishte zbatuar vendimet dhe urdhëresën e OSHP përderisa, vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe të gjitha palët në procedurë, dhe se kundër vendimeve të OSHP-së, palët mund të ankohen në gjykatën kompetente brenda afatit ligjor me mjete të rregullta juridike, në përputhje me këshillën juridike të dhënë në vendim.
Rrjedhimisht, KEK ka kthyer lëndën në ri-vlerësim dhe përkundër faktit se OSHP me dy vendime e ka kualifikuar OE të rekomanduar të papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit, si dhe përkundër urdhrit të cekur në pikën 3 të dispozitivit të vendimit nr, 2024.0970, AK shpallur prape OE e njëjtë fitues, citat pika 3 e dispozitivit: “URDHËROHET Autoriteti Kontraktues- “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a., që në afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike të njoftoj OSHP-në lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së: PSh.nr.2024/0513 i datës 19.08.2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT(Fuel Oil 1.0%)” me numër të prokurimit KEK-24-186-1-1-1″.
“Vlen të theksohet se këto dy vendime të lartcekura të OSHP kanë marrë formën e prerë ngase të njëjtat nga asnjëra palë nuk janë atakuar në gjykatë. Me këtë rast AK ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të prokurimit publik (LPP) si dhe në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mos respektimi i vendime të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik.
Paneli Shqyrtues thekson se vendimin e OSHP kanë pasur mundësi ta atakojnë në Gjykatën kompetente konform këshillës juridike të dhënë në vendim por edhe konform nenit 99, paragrafit 3 të LPP, citat: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”. Pikërisht ligjvënësit në të gjitha sistemet juridike kanë lënë mundësinë që nëse, ndonjëra palë në procedurë konsideron se vendimi i OSHP nuk është marrë konform dispozitave ligjore atëherë të atakohen në gjykatë dhe gjykata ka edhe mundësinë qoftë të lë në fuqi vendimin e OSHP, qoftë, lëndën ta kthen mbrapa në OSHP për ri-vendosje“, ka shkruar OSHP në raport.
Sipas panleit, përveç tjerash OSHP-në edhe Gjykata evropiane e drejtësis e njeh si kauzi-gjykatë, e po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Aktgjykimin e saj me nr. referent AGJ 2459/24, në rastin nr. KO157/23, në pikat 133 dhe 134, thekson se vlerësimi i vendimeve të OSHP i takon vetëm gjykatave të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo vlerësimin e vendimeve të OSHP nuk mund ta bëjë AK sikurse në këtë rast por as vet Paneli Shqyrtues.
Që do të thotë që pas vendimeve të OSHP, autoriteti kontraktues ka pasur disa mundësi: Ta atakoj vendimin e OSHP në Gjykatë; Të bëjë vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e ofertave të OE të cilët janë palë me interes konform nenit 59 të LPP. Por në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë të shpall prapë fitues OE i cili me vendime të OSHP ka rezultuar i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit.
Këto vendime OSHP është bazuar edhe në opinionet e KRPPnë lidhje me autorizimet për nënshkrim të dokumenteve të tenderit, ku KRPP ka lëshuar një opinion me dt. 24.10.2023 tek pyetjet e shpeshta përkatësisht pyetja me nr.14.
“Po ashtu, OSHP ka obliguar AK të ndërmarrë veprime konform nenit 52.7 të LPP, lidhur me këto nënshkrime të dyshimta dhe AK në vend që të bëjë një kontroll efektiv dhe normalisht që lëndën ta dërgoj tek organet gjegjëse të hetuesisë, AK me dt. 16.01.2025 në ora 14:59 kërkon nga OE i rekomanduar për kontratë që të angazhoj një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar këto nënshkrime. Me çrast OE i rekomanduar për kontratë po të njëjtën datë 16.01.2025, gjene ekspertin teknik të grafologjisë, i cili ekspert në faqen e dytë të këtij akti të ekspertimit thekson se numri referues i ekspertimit dhe datat e marrjes së materialeve është bërë po me datë 16.01.2025. Ky veprim në mes të AK dhe OE të rekomanduar për kontratë i ngjanë shumë se ky veprim ka qenë veprim i koordinuar në mes tyre, në të kundërtën është pothuajse e pamundur që thuajse në fund të orarit të punës të kryhen të gjitha këto veprime, të kërkohen sqarime nga OE dhe OE menjëherë të gjenë ekspertin teknik, të d ‘akordohen rreth kërkesë së AK dhe punës të cilën duhet ta kryej ky ekspert dhe të dorëzohet materiali dhe të fillohet puna e hartimit të këtij raporti nga ana e ekspertit të grafologjisë“, thuhet tutje në raport.
Përveç tjerash, OSHP thekson se nuk ka qenë kërkesë e vendimeve paraprake të saj të bëhet një raport nga ndonjë ekspert i grafologjisë nga ana e OE të rekomanduar, këtu kemi një devijim komplet nga ajo që është theksuar në vendimet e OSHP. Raporti i grafologjisë, PSH vlerëson se kjo ka qenë dashtë bëhet shumë më herët nga vetë AK apo nga ndonjë institucion i organeve gjegjëse të hetuesisë, edhe para se lënda të arrij në OSHP pas kërkesës për ri-shqyrtim me çrast AK edhe ka mundur të njoftohet përherë të parë nga ankuesi, e jo sikurse në këtë rast kemi të bëjmë me ekspertizë të grafologjisë që është hartuar nga OE i rekomanduar për kontratë, e që nënkupton se nuk kanjë ekspertizë institucionale dhe e cila mund të mos jetë objektive.
“Më pastaj ekspertiza është bërë për katër dokumente të cilat i janë ofruar ekspertit ana e OE të rekomanduar për kontratë, e të cilat dokumente mbajnë datë të mëvonshme se sa hapja e tenderit për të cilin po kontestohen nënshkrimet, e ku nuk dihet se cili nënshkrim është origjinal i Fatbardh Muharremit, sepse ekspertit ka mundur ti ofrohen dokumente të cilat janë të nënshkruara për Fatbardh Muharremi nga dikush tjetër në procedurat e mëvonshme të prokurimit.
Hapja e tenderit është bërë me dt.27.02.2024, ndërsa dokumentet që i janë ofruar OE të rekomanduar për kontratë janë dokumente që mbajnë data të mëvonshme se sa 27.02.2024, e që nënkupton se nuk është marr një mostër e nënshkrimit origjinal e Fabardh Muharremi nga e kaluara, prandaj nuk mund të bëhen konstatime objektive të nënshkrimit të këtij personi“. thuhet tutje në raport.
PSH konsideron se për të pasur një ekspertizë profesionale dhe objektive është dashur të ekzaminohet nënshkrimi i Fatbardh Muharremi i vendosur tek dokumentet zyrtare personale që i ka nënshkruar ky person e këtu mund të hyjë nënshkrimi tek letërnjoftimi apo pasaporta dhe të krahasohet më nënshkrimet e paraqitura tek tenderi përkatës. Sipas vendimit nr. 2024/0513, evidentohet të gjitha këto parregullësi me rastin e nënshkrimit të këtij personi, ku në deklarat për afatin e liferimit nuk vendoset “për” por edhe dallime në nënshkrime në dokumentet tjera.
“Nënshkrimi është një akt personal dhe vullnetar që tregon se personi ka marrë pjesë aktivisht në procesin e krijimit të dokumentit dhe ka të kuptuar çdo term dhe kushte të tij. Nënshkrimi nuk mund të bëhet pa u menduar mirë ose pa u dhënë pëlqimi, përkundrazi, ai është një pasqyrë e qartë e një vendimi të informuar. Ky është një mekanizëm që ndihmon për të siguruar që individët të jenë të vetëdijshëm për veprimet që ata po ndërmarrin dhe pasojat që mund të vijnë nga këto veprime. Edhe në këtë rast emri, mbiemri dhe të dhënat e drejtorit L. M. Dhe nënshkrimi i personit tjetër F. M. pa i vendosur fjalën “për” ky konsiderohet dokument i parregullt dhe kjo kualifikohet si kusht administrativ dhe PSH këtë veprim të OE të rekomanduar për kontratë nuk e sheh si të rastësishme, sepse, në rastet kur lind një konflikt apo mosmarrëveshje, nënshkrimi shërben si provë që një person ka pranuar, miratuar ose angazhuar veten për diçka. Për të ruajtur besueshmërinë dhe legjitimitetin e dokumenteve zyrtare, është thelbësore që ato të nënshkruhen nga individët e përfshirë. Pa nënshkrimin e duhur, dokumentet mund të konsiderohen të pavlefshme, dhe marrëveshjet që mund të kenë pasuar mund të shkelin ligjet përkatëse.
Në përfundim, nënshkrimi i një dokumenti ka shumë rëndësi dhe është një akt që nuk duhet të merret lehtë. Ai ka efektet ligjore dhe shoqërore të cilat i japin asaj një fuqi dhe vlefshmëri të paçmuar. Ky është një mjet i domosdoshëm për të garantuar sigurinë, ligjshmërinë, dhe ndershmërinë e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe institucioneve“.
Si perfundim, duke u bazuar në kompetencat e OSHP të rregulluara sipas nenit 105, lidhur me nenin 106 të LPP, Paneli Shqyrtues vuri në zbatim mes tjerash dhe nenin 103 të Ligjit të cituar sipas të cilit të gjitha palët e interesuara do të kenë qasje të barabartë në procedurat për shqyrtimin e prokurimit dhe në mjetet juridike dhe se, asnjë vendim i OSHP, nuk do të merret ose bëhet në mënyrën me të cilën diskriminohet në të mirë ose në dëm të një pjesëmarrësi në procedurë ose të një personi ose ndërmarrje tjetër. Prandaj nisur nga të lartcekurat Paneli Shqyrtues ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi i bindur se ka aplikuar zgjidhjen e duhur.
Paneli Shqyrtues i OSHP, kërkon nga KEK që në procesin e rivlerësimit të aktivitetit të prokurimit të evitohen shlejet e cituara si më sipër dhe vlerësimi të bëhet konform nenit 59 të LPP.
Kontrata emergjente dhe lidhjet politike të “EX-Fis” me Vetëvendosjen
Demokracia.com ka raportuar disa herë për këtë tender, duke theksuar se KEK-u ka lidhur kontrata me negocim dy herë nga viti i kaluar për furnizim emergjent me mazut, duke rekomanduar për kontratë të njëjtën kompani, “EX-Fis”.
Kompania “EX-Fis” ka lidhje të drejtpërdrejta me Lëvizjen Vetëvendosje. Të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën 2020-2023 dhe 2024, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.
Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Paneli i OSHP-së lidhur me këtë rast. /Demokracia.com/
Lexo edhe: