Lajme
KEDS-i mohon pretendimet e paditësit se kishte faturuar çmime të larta të energjisë elektrike
Demokracia
15:58 | 21 Janar 2022

Share:

E paditura KEDS ka mohuar pretendimet e paditësit Ismet Arifaj, se i ishte faturuar më shumë sesa kishte shpenzuar energji elektrike.

Këto pretendime, paditësi Arifaj përmes padisë, i ka paraqitur në seancën përgatitore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Klinë, nën udhëheqjen e gjykatësit Leon Përlaska, ku po zhvillohet kontesti civil mes paditësit Arifaj dhe të paditurës KEDS.

Paditësi deklaroi se në vitin 2013 kur ishte vendosur në shtëpinë e tij të re, kishte vendosur edhe orën e re elektrike, mirëpo sipas tij, faturat e energjisë elektrike i kishin ardhur të larta.

“ Në vitin 2013 jam vendosur në shtëpinë time të re dhe e kam orën të regjisturar në mënyrë të rregullt. Kurse më 26 Janar 2013 më ka ardhur fatura 113 euro dhe më 19 prill 2013 fatura tjetër 459 euro. Kam bërë ankesë se përse faturat e larta. Ankesën e kam bërë me 12 shkurt 2014 dhe nuk më kanë kthyer përgjigje”, tha paditësi Arifaj.

Në fund të pretendimeve të tij, paditësi kërkoi nga Gjykata që t’ia kthehen parat e marra nga përmbaruesi privat në emër të borxhit të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, këto pretendime të paditësit, u kundërshtuan në tërësi nga e paditura KEDS, përmes përfaqësuesit Granit Gërvalla, i cili shtoi se pretendimet e paditësit se i njëjti nuk kishte borxh, nuk ishin provuar me prova.

“Nuk janë të faktuara me asnjë provë relevante sic ka pretenduar paditësi se kemi të bëjmë më vërtetimin e mosekzistimit të borxhit”, tha Gërvalla.

Ai shtoi se paditësi ishte ngarkuar me borxh pasiqë kishte marrë shërbimet e të paditurës.

“Si konsumator i rregullt është regjistruar kur iu është vendosur njehësori me 26 janar 2013, ku edhe iu është ngarkuar borxhi në vlerë prej 116 euro, i cili borxh është për shërbimet e kontraktuara mes konsumatorit dhe KEDS, që janë të parapara dhe aprovuara nga ZRrE-ja”, tha Gërvalla.

Ndërsa për borxhin e kontestuar në shumë prej 459.06 euro, përfaqësuesi i të paditurës arsyetoi se ishte krijuar nga paditësi për kilovatët e shpenzuar para regjistrimit të njehësorit elektrik dhe të njëjtat ishin bartur në njehësor në mënyrë zyrtare.

Këto pretendime të paditurës i cilësoi të pabazuara paditësi, i cili shtoi se kur kishte hyrë në shtëpinë e tij të re nuk patur borxh të energjisë elektrike.

“Le ta sjellin dokumentin që s’është nënshkruar nga unë që më kanë ngarkuar me 640 euro borxh dhe poashtu tha se 450 euro se unë më përpara i kam harxhu që s’është e vërtetë sepse kur jam hy në shtëpi të re ora

ka qenë 0”, tha paditësi.

Përfaqësuesi i të paditurës tha procedura e përmbarimit për pagimin e borxhit ndaj paditësit ishte e bazuar në ligj dhe pretendimet e paditësit ishin refuzuar edhe nga Gjykata dhe ankesa që pretendonte se paditësi e kishte bërë, e njëjta nuk ishte protokulluar tek KEDS-si.

“Kemi sjellur si provë ku shihet se muaji janar 2013 kur është regjistruar njësori elektrik që është faturuar për shërbime, kurse muaji Shkurt dhe Mars të njëjtit nuk iu është faturuar në bazë të kilovatëve të shpenzuar. Këta tre muaj janë faturuar në muajin Prill”, tha Gërvalla.

Gjykatësi Përlaska pas pretendimeve të palëve, shtoi se për seancën e shqyrtimit kryesor, palët do të njoftohen me shkrim.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar nga paditësi më 15 janar 2021 ka kërkuar nga Gjykata që të vërtetohet se nga data 1 janar 2013 e der më 14 janar 2021 se paditësi nuk i ka borxh të paditurës dhe t’ia paguaj shumën prej 1500 euro për dëmet e bëra nga defektet elektrike, të cilat sipas paditësit kanë ardhur nga transformatori, i janë djegur pajisjet shtëpiake./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme