Lajme
KE shpalos paketë investimesh prej 3.2 miliardë euro për të mbështetur 21 projekte në Ballkanin Perëndimor
Demokracia
16:56 | 25 Shkurt 2022
Ilustrim

Share:

Komisioni Evropian ka bërë publike sot një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë euro për të mbështetur 21 projekte në Ballkanin Perëndimor.

Investimet parashikohen në sektorët e transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në rajon.

Sipas një njoftimi për shtyp të Ambasadës së Bashkimit Evropian në Tiranë, investimet konsiderohen si paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të planit ambicioz ekonomik të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, e miratuar nga Komisioni në tetor 2020.

Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë vender e rajonit.

“Me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren”, ka thënë Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, ka shtuar Varhelyi.

Gjatë viteve të ardhshme, paketa parashikon të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive.

Sipas njoftimit të ambasadës, përcjell Telegrafi, plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut të zhvillimit mes BE-së dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.

Paketa e sotme financiare përfshin 1.1 miliardë euro grante të BE-së nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit 2021-2027 (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjia, si dhe kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Paketa e investimeve prej 3.2 miliardë euro kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) – një platformë investimi me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme