Lajme
KE qorton ashpër Serbinë: Jeni në kundërshtim me vlerat themelore, po lavdëroni kriminelët e luftës
Demokracia
20:15 | 06 Gusht 2021

Share:

Komisioni Evropian ka qortuar Serbinë për lartësimin që po u bën ky shtet kriminelëve të luftës, duke thënë se kjo është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.

Sipas Dtt-net, KE ka theksuar se “lavdërimi i kriminelëve të luftës, revizionizmi dhe mohimi i fakteve të dokumentuara dhe të vërtetuara rreth ngjarjeve të kohës së luftës, përfshirë krimet e luftës, kundërshtojnë vlerat më themelore evropiane”, përcjell Demokracia.com.

Serbia po vazhdon edhe më tutje të lavdërojë dhe t’i shpërblejë kriminelët e dënuar të luftës, në nivel qëndror e komunal.

Gjatë ditës së djeshme, komandanti i ish-Jugosllavisë, Vladimir Lazareviq, i dënuar për krime kundër njerëzimit për shkak të spastrimit etnik gjatë luftës së fundit në Kosovë, është shpallur qytetar nderi nga një komunë në jug të Serbisë.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia u ndan mirënjohje figurave të tilla, përcjell Demokracia.com.

Zyrtarët në komunën Pantelej, afër Nishit, kanë bërë të ditur ndarjen e çmimit për Lazareviqin dhe 10 persona tjerë më herët gjatë kësaj jave.

Në njoftim nuk është cituar arsyeja e nderimit.

Vendimi për nderim është përkrahur nga asambleja komunale e kontrolluar nga Partia Përparimare Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lazareviq është kthyer në Nish në dhjetor të vitit 2015, meqë është liruar pas kryerjes së dy të tretave të dënimit në Hagë.

Llazareviq kishte deklaruar se është dënuar për krime lufte “pa dëshmi”./Demokracia.com/

Të ngjashme