Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se vlerëson se me miratimin unanim të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe dhënien e betimit nga deputetët, është bërë një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, thotë KDI zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit – hapi më thelbësor në konstituimin e Kuvendit – nuk u realizua.
“Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e mjaftueshme dhe seanca u pezullua”.
KDI bëri thirrje që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive.
“Por, theksojmë që përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin më të madh në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë diskutime dhe kompromise politik – për të siguruar një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”.
KDI tha se zvarritja e mëtejshme e këtij procesi jo vetëm që dëmton funksionimin e institucioneve, por rrezikon të thellojë edhe më tej krizën politike dhe institucionale.
“KDI rikujton se funksionalizimi i Kuvendit është parakusht për të gjitha zhvillimet tjera demokratike në vend, përfshirë formimin e Qeverisë”