Lajme
KDI: Kuvendi duhet të konstituohet, VV’ja është përgjegjëse kryesore – Osmani s’ka kompetenca në këtë rast
Demokracia
15:23 | 15 Prill 2025

Share:

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, është thënë se Kuvendi duhet të konstituohet, dhe se, dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve dëshmon se ka mospërputhje mes deklarimeve publike që janë bërë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar.

Nga KDI është thënë edhe se, përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit është e panevojshme dhe juridikisht të pavlefshme.

Po ashtu, nga KDI është deklaruar edhe se LVV ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Komunikata:

𝐊𝐃𝐈: 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐨𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐨𝐡𝐞𝐭 – 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐛𝐢𝐞 𝐦𝐛𝐢 𝐋𝐕𝐕-𝐧𝐞̈

Dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet. Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar.

Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës. Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës.

Përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit, përveçse tërësisht të panevojshme, janë juridikisht të pavlefshme. Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

𝐙𝐠𝐣𝐢𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐮𝐫 𝐝𝐡𝐞 𝐞 𝐝𝐨𝐦𝐨𝐬𝐝𝐨𝐬𝐡𝐦𝐞!

Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

Të ngjashme