Lajme
Katrori i rrumbullakët i Stanos: Edhe s’ka njohje edhe njohja rrjedhojë logjike e normalizimit
Demokracia
20:09 | 01 Korrik 2024

Share:

“Ka veç normalizim, nuk ka njohje – njohja do të ishte rrjedhojë logjike e normalizimit”

Që të gjitha gjyshet janë nëna është rrjedhojë logjike. Dhe kjo, sepse predikati s’i shton asgjë të re subjektit; duke qenë se vërtetësia e saj është në thelb e përmbajtje të vetë fjalëve të dhëna.

Por, logjika i del paksa tradhtuese në një konferencë për media zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili duke shpjeguar se çka është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, doli në atë që rëndom shënon kundërthënie si katror i rrumbullakët.

Procesi i Dialogut Kosovë-Serbi, tha Peter Stano, “është veç për normalizim të marrëdhënieve, aty s’ka njohje” ndërsa një fjali më tej thotë se “sigurisht se rrjedhojë logjike e normalizimit do të ishte njohja”.

Normalizimi i marrëdhënieve – që si “rrjedhojë logjike e ka njohjen” – sipas Stanos “u mbetet palëve në fund se si do ta përkufizojnë (definojnë)”.

Përkufizimi i normalizimit në fund, kur të arrihet aty, ose më mirë të themi kur palët të mbërrijnë aty, do të definohet nga ata vetë: se qysh e kuptojnë ata normalizimin, ose me çka do të pasohet normalizimi”, tha ai.

Objektivi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është normalizimi i marrëdhëdhënieve. Pra, kjo është edhe detyra që i ishte dhënë Bashkimit Evropian si fascilitues që të punojë, t’i ndihmojë palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve; pra këtu s’ka njohje aty”.

Por, sigurisht se rrjedhojë logjike e normalizimit do të ishte njohja; por kjo është ende larg në proces dhe pesë mosnjohësit mes shteteve anëtare të BE-së do të marrin vendimet e tyre bazuar në atë se si çka shohin si të nevojshme dhe domethënëse, por kjo nuk është një çështje që po trajtohet në kornizën e dialogut të fascilituar nga BE”.

Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve rëndom përkthehet në dy boshte – dhënien e një niveli autonomie për komunitetin serb të Kosovës derisa Serbia të njohë “de facto” Kosovën.

Se kjo marrëevshje – pra, dialogu i BE-së – ka synim njohjen është e shkruar dhe kërkuar nga kumbarët e vetë Marrëveshjes Bazike: Kancelari Federal Gjerman, Olaf Scholz, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Kërkesa për njohjen “de facto” është eksplicit e shkruar në komunikatën për media të botuar në uebsajtet zyrtare të institucioneve më të larta të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Vetë marrëveshja që ka “de facto” njohjen në këtë në Nenin 6 synon – që me t’u zbatuar ajo – të niset arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve – e që, po ashtu si “rrjedhojë logjike” e pas njohjes ‘de facto’ do të ishte njohja ‘de jure’.

I kënaqur me argumentimin katrorisht-të-rrumbullakët të Stanos ishte kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, i cili tha se “premisa është e duhur…por konkluzionet po nxerren të gabuara” dhe se njohja e Kosovës është një diçka “që e duan disa shtete të fuqishme…por është një film që nuk do ta shihni”.

Zëdhënësi i BE-së ka absolutisht të drejtë kur thotë që normalizimi i marrëdhënieve s’ka të bëjë me njohjen e Kosovës. Është shqetësuese që një premisë e mirë çon në konkluzioneve krjetësisht të gabuara, kjo me dëshirën e disa shteve të fuqishme që Serbia të njohë shkëputjen e dhunshme të një pjese të territorit të saj. Nuk do ta shihni këtë film”, ka shkruar Petkoviq në “X”.

Të ngjashme