Lajme
“Katrahura” në mbledhjen e komisionit parlamentar – përmendet rasti i drogës
Demokracia
11:25 | 19 Prill 2022

Share:

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, raportoi në Komisionin për Ekonomi.

Në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore” pati edhe tensione mes anëtarëve të LVV dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK, anëtarëve Pal Lekaj nga AAK dhe Valentina Bunjaku nga LDK.

Mbledhja është ndërprerë pas tensioneve mes anëtarëve të komisionit dhe ministes Hajdari.

Debati mes tyre është përcjellë me ndërprerje të fjalëve nga njëri-tjetri.

Derisa ministrja Hajdari po fliste për projektin dhe marrëveshjen ndërkombëtare me Bankën Botërore, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, e ndërpreu atë.

“Mos na i përsërit njëqind mijë herë. Unë e di se e keni shkelur marrëveshjen?”, i tha Lekaj, ministres Hajdari.

Ndaj tij, ndërhyri deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Jo more, nuk është korrekte kjo sjellje”, tha ajo.

Por, Lekaj tha se insistimi i tij është megjithatë korrekt. “Ne jemi duke folur për një marrëveshje ndërkombëtare”, u përgjigj Lekaj.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, kritikoi anëtarët e komisionit parlamentar – anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet – për përmendjen e rastit të kapjes me drogë në veturë të ish-sekretarit të Ministrisë së Tregtisë, Burim Rreci.

“Është marre me u përmend vjedhja e telefonave, me u përmend droga dhe thjeshtë me u deviju gjithçka në këtë mbledhje. Nuk është në rregull kjo”, tha ajo.

Mimoza Kusari-Lila përmendi paraprakisht gjatë diskutimit rastin e kapjes me 50 kilogramë marihuanë të ish-sekretarit Rreci. /Paparaci.com

Të ngjashme