Lajme
Katër të akuzuarit nga Malisheva mohojnë fajësinë për tentim vjedhjen grabitqare në një market në Kijevë
Demokracia
14:53 | 20 Janar 2022

Share:

Të akuzuarit për tentim vjedhje grabitqare në një market në Kijevë të Malishevës, Muhamet Kiqmari, Ragip Hasani, Mentor Jashari dhe Fatmir Gashi, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkohen, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Deshirë Jusaj, të akuzuarit e lartcekur mohuan fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Kiqmari tha se e ndjen veten fajtor për tentim vjedhje, mirëpo jo për tentim vjedhje grabitqare.

Në këto rrethana, meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Shaqir Zika i njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, mirëpo se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Në këtë seancë, prokurorja Jusaj ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale të tentim vjedhjes grabitqare në bashkëkryerje nga paragrafi 1 në paragrafin 2 të nenit 328 të Kodit Penal.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 28 prill 2016, rreth orës 3:40, në fshatin Kijevë të Malishevës në marketin “Gashi”, të akuzuarit Muhamet Kiqmari, Ragip Hasani, Mentor Jashari dhe Fatmir Gashi kanë tentuar të kryejnë vjedhje, duke përdorur forcën me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshme të dobisë pasurore.

Siç thuhet në aktakuzë, ata këtë e kanë bërë në atë mënyrë që i akuzuari Mentor ka bërë roje dhe ka pritur në automjetin e tij “Bora”, ndërsa të akuzuarit Muhamet dhe Fatmir me kaçavida kanë hapur derën e marketit , kanë hyrë brenda së bashku me të akuzuarin Ragip, i cili ka pasur një revole me gaz.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Ramiz Gashi ka dëgjuar alarmin e sigurimit që është aktivizuar e po ashtu ka dëgjuar qentë duke lehur dhe kishte marrë pistoletën e markës “ Pietro Bereta”, për të cilën kishte leje për mbajtje të armës, ka zbritur tek marketi dhe i ka zënë në befasi  të tre të akuzuarit që ishin në market, në atë moment i akuzuarit Ragip ka gjuajtur me armë dhe pastaj i dëmtuari Ramiz pasi që i ka zënë në befasi në aktin e kryerjes së vjedhjes ka gjuajtur 7 herë dhe ka plagosur të akuzuarin Muhamet në krahun e djathtë.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje grabitqare në tentativë”, nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal, vepër kjo e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet.

I akuzuari Ragip Hasani po ngarkohet edhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje, përkatësisht për armën e cekur më lartë./BetimipërDrejtësi.

 

Të ngjashme