UEFA Champions League 2024-25 do të zhvillojë këtë të mërkurë katër takimet e radhës për raundin e 16. Në fushë, përveç super përballjes PSG – Liverpool, do të zbresin skuadra si Barcelona, Bayern Munich dhe Inter, nder te tjera.
Pasi e marta solli ndeshjet e para të raundit të 16 në Champions League, kjo e mërkurë do të vijë me katër takimet e radhës, të cilat do të përmbyllin javën e parë. Një javë më vonë do të luhen duelet e kthimit.
Ndeshja e parë e ditës do të jetë përballja mes Feyenoord-it dhe Inter-it, me fillim nga ora 18:45. Holandezët vijnë në këtë raund pasi eliminuan Milan-in në play-off, ndërsa zikaltërit përfunduan në “top 8”, transmeton albanianpost.
Nga ora 21:00 do të vijnë tre duelet e tjera: Benfica – Barcelona, Bayern – Leverkusen dhe PSG – Liverpool.
Benfica do të presë Barcelona-n në Portugali, me dy ekipet që u përballën në një ndeshje të madhe gjatë fazës së ligës e përfunduar 4-5 për miqtë.
Portugezët mbërritën në këtë fazë pasi eliminuan Monaco-n në play-off, teksa katalanasit arritën pasi përfunduan në “top 8”.
Një përballje tërësisht gjermane do të zhvillohet në “Allianz Arena”, aty ku Bayern do të presë Leverkusen-in, me dy skuadrat që garojnë kokë më kokë edhe për titullin në Bundesliga këtë sezon.
Bavarezët arritën në këtë raund pasi eliminuan Celtic-un në play-off, ndërsa “Aspirinat” përfunduan në “top 8”.
Përballja më e madhe e ditës në Champions League do të jetë në “Parc des Princes” të Parisit, ku PSG-ja do të presë Liverpool-in.
Vendasit arritën në këtë raund pasi kaluan me lehtësi francezët e Brest-it në play-off, ndërsa anglezët përfunduan në “top 8”.
Kujtojmë se takimet e kthimit do të luhen të martën e ardhshme: Barcelona – Benfica, Leverkusen – Bayern, Inter – Feyenoord dhe Liverpool – PSG.
Rezultatet e një dite më parë në Champions League, raundi i 16:
Club Brugge 1-3 Aston Villa;
Dortmund 1-1 Lille;
PSV 1-7 Arsenal;
Rela Madrid 2-1 Atletico Madrid.