Nga Robert Maginnis “Fox News”
Pak njerëz e parashikuan se lufta në Ukrainë do të zgjaste kaq shumë, dhe aq më pak që Kievi do ta ndalte ushtrinë e madhe ruse. Por është pikërisht kjo ajo që ka ndodhur, një shembull modern i historisë biblike të Davidit të ri, që ngrihet kundër gjigantit filistin të veshur me parzmore, Goliatit, duke zhvilluar një luftë për t’i marrë të gjitha.
A mund ta mposhtë Davidi Goliatin?
Po, është e mundur, pasi Goliati ishte shumë kryelartë dhe e nënvlerësoi djalin e bariut. Presidenti rus Vladimir Putin (Goliati) grumbulloi gati 200.000 trupa në kufi me Ukrainën duke bërë thirrje për kapitullimin e kombit ukrainas, në një formë ku fituesi i rrëmben të gjitha.
Por Ukraina i injoroi sfidat arrogante të gjigantit, i doli përpara dhe u tregua shumë më e aftë nga sa kishin parashikuar ndonjëherë rusët. Edhe aleati kryesor çeçen i Putinit, Ramazan Kadirov, e ka kritikuar luftën e rusëve, duke u ankuar se sulmi ishte “shumë i ngadaltë”. Ushtarët rusë nuk janë efektivë, tha ai, duke i bërë bëri thirrje Putinit të jepte “urdhra më të ashpra”.
Është e vërtetë që makineria luftarake e Putinit nuk është mbresëlënëse, duke filluar që me planin e tij të gabuar për pushtimin e Ukrainës. Supozimet e shërbimeve të tij sekrete, i nënvlerësuan plotësisht ukrainasit, dhe ushtria e tij nuk ishte e përgatitur.
Ai angazhoi në terren batalione ushtarësh të trajnuar dobët, praktikisht pa shumë armë ajrore-tokësore, pa një logjistikë të pamjaftueshme, teksa pajisjet e tij nuk ishin të përshtatshme për një luftë me një armik të vendosur dhe të aftë. Këto të meta garantonin praktikisht një luftë shumë të gjatë dhe të përgjakshme.
Këto dështime, me shumë humbjeve në njerëz dhe pajisje, e kanë detyruar Putinin t’i rikthehet asaj që bëri në Çeçeni dhe Siri:strategjisë së shkatërrimit total. Tek e fundit, pushtimi i qyteteve ukrainase si Kievi, të cilin tani e ka rrethuar, do të kërkonte shumë më tepër ushtarë rusë, pasi në luftimet brenda qytet, mbrojtësi ka të paktën 5-fish avantazh.
Kështu, tirani po i drejtohet arsenalit të tij të madh të armëve me rreze të gjatë për të shpopulluar qytetet ukrainase. Kjo lloj lufte përfundon vetëm kur Putini të mos ketë më mjete apo vullnet për të luftuar, ose kur ukrainasit nuk do të mund t’i mbijetojnë më shumë shkatërrimeve dhe vrasjeve.
Ukraina ashtu si Davidi, po tregon më shumë sesa trimëri. Ukrainasit janë të vendosur dhe shumë të aftë, duke luftuar për mbijetesën e tyre. Ata e kanë bllokuar në vend ushtrinë e Putinit, dhe po i shkaktojnë tani Moskës një kosto shumë të rëndë.
“Ne luftojmë për t’i asgjësuar rusët. Ata nuk erdhën këtu duke menduar se ne dimë të luftojmë”- tha një udhëheqës i forcave speciale ukrainase. Dhe përballja me rusët është shumë efektive, siç është shkatërrimi i armatimeve ruse, me një shkallë vrasjesh prej 93 për qind.
Në çdo cep ukrainasit refuzojnë të lëshojnë terren. “Ne jemi të shokuar se sa idiote është sjellja e tyre. Tani ne po fokusohemi në goditjen nga prapa të tyre, të autokolonave të tyre të furnizimit, pasi nëse nuk marrin karburant, ata nuk mund të bëjnë asgjë”- thotë një ushtar ukrainas.
Këto sulme janë edhe “Thembra e Akilit” e Putinit, pasi në një moment morali i ushtrisë së tij do të bjerë plotësisht dhe dezertimet do të jenë shumë të larta. Ka të ngjarë që lufta e Ukrainës të zgjasë vite si fushata sovjetike në Afganistan, ose Putin mund ta zgjerojë luftën në mënyrë të pamatur edhe në pjesën tjetër të Evropës.
Megjithatë, ka më shumë gjasa që një sërë faktorësh ta detyrojnë Putinin të kërkojë një rrugëdalje për të shpëtuar fytyrën. Këtu përfshihen humbjet e mëdha në fushën e betejës, protestat në frontin e brendshëm, kolapsi ekonomik, largimi i kompanive perëndimore, dhe mungesa e mbështetjes së pritshme nga ana e Kinës.
Shpresojmë që Putin të kërkojë paqen, përpara se të synojë shkatërrimin total të të gjitha qyteteve të Ukrainës, apo të guxojë ta zgjerojë luftën në vendet e NATO-s. Ekzistojnë të paktën 4 skenarë të mundshëm që i japin fund luftimeve në Ukrainë.
Së pari, Ukraina vazhdon ta bllokojë Rusinë në front, dhe në këto kushte mund të negociohet tërheqja e forcave ruse, ndoshta duke hequr dorë nga pjesa më e madhe e Ukrainës Lindore dhe të gjitha pretendimet ndaj Krimesë.
Po ashtu Ukraina është e detyruar të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe Bashkimi Evropian. Ndërkohë Moska do të kërkojë pothuajse me siguri zgjedhje të reja dhe përcaktimin në kushtetutë të një statusi të përhershëm neutral të Ukrainës.
Së dyti, Rusia fiton dhe e copëton Ukrainën, duke vendosur një qeveri kukull. Por Moska ka të ngjarë të përballet për vite me radhë me një kryengritje guerile, dhe do të konsiderohet globalisht si një shtet agresor. Po ashtu do të jetë e rënduar nga sanksionet, dhe do të ecë përpara vetëm falë mbështetjes ekonomike të Kinës. Ndërkohë, asgjësimi i Ukrainës do të shënojë nisjen e një luftë të re të ftohtë kundër NATO-s, që do të gjejë barriera që ndajnë lindjen e re nga Perëndimi, dhe forcat luftarake do jenë të pozicionuara në të dyja anët e një “Perdeje të re të Hekurt”.
Së treti, ekziston mundësia reale që Perëndimi të ndërhyjë në luftë, dhe ta bindë Moskën të tërhiqet për të shmangur përshkallëzimin drejt një lufte bërthamore, ndërkohë që Perëndimi heq në këmbim të gjitha sanksionet dhe jep garanci se Ukraina nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s apo BE-së. Në atë moment, Perëndimi do të nisë zbatimin e një programi të ngjashëm me Planin Marshall, për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës dhe për t’u kthyer në statuskuonë e para luftës.
Së katërti, një rezultat më i mirë për Perëndimin dhe Ukrainën është tërheqja e forcave ruse dhe rivendosja e shtetit ukrainas. Qendra Skaukroft thotë se ky është skenari “më rozë” i mundshëm, që e lejon rezistencën ukrainase të kapërcejë “shanset dhe të ndalë përparimin e Moskës”. Pastaj Putini i plagosur kërkon një arratisje ndërsa vendi i tij i kthehet kundër. Secili prej këtyre skenarëve i jep fund armiqësive, por e lë të hapur mundësinë e një lufte të ardhshme në Lindje dhe Perëndim.
Po, i dobëti “David” mund ta “fitojë” luftën e Putinit, edhe pse me koston e mijëra jetëve të humbura, dëmeve të mëdha në infrastrukturën e vendit, dhe rritjen e tensioneve në Evropë, në një nivel të paparë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Mjerisht, çmimi i këtij konflikti edhe me skenarin “më rozë” çon në një paqe të hidhur, në të cilën Ukraina nuk ka gjasa të gëzojë përsëri lirinë dhe prosperitetin që përjetoi që nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik.
Shënim: Robert Maginnis, oficer në pension i ushtrisë amerikane, dhe një analist ushtarak me përvojë mbi Rusinë dhe Ukrainën.