Lajme
Katedralja “Shën Nënë Tëreza” sot u vizitua nga shumë qytetarë
Demokracia
20:18 | 16 Prill 2022

Share:

Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, sot, gjatë ditës ishte vendi ku shumë besimtarë, por edhe qytetarë të besimeve të tjera e vizituan për të parë nga afër përgatitjet që po bëhen për meshën e Pashkëve.

Bashkëatdhetarja Sebahate Partolla për herë të parë e ka vizituar Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Partolla, e cila jeton në Zvicër thotë së shpesh i viziton objektet e ndryshme fetare.

“Unë kam ardhur në vizitë te Katedralja. Interesohem edhe për fetë e tjera. Nuk jam katolike por  më pëlqejnë historitë, objektet dhe dua të informohem. Jam për herë të parë këtu. Edhe në Zvicër jam shkuar në shkollë në katedrale .Ju uroj krejt besimtarëve katolik Pashkët”, tha ajo.

Edhe Mergita Palushaj, e cila erdhi nga Zvicra thotë se lutjet në këtë ditë feste janë për paqe për të gjithë.

“Erdha të lutem për më të dashurit tonë që nuk janë më. Kudo që jemi mblidhemi bashkë. Është me rëndësi që t’i kemi sofrat plot dhe t’i kalojmë këto ditë të mëdha së bashku”, ka theksuar Palushaj.

E tashmë përgatitjet veç se janë bërë për meshën kryesore në katedralen “Shën Nënë Tëreza”.

“Është festa më e madhe e krishterë. Më e rëndësishmja për ne. Secili e pret me gëzim dhe bëhen përgatitjet paraprakisht për ta kremtuar jo vetëm së bashku me Kishën, por edhe me familjet tona. Uroj të jetë një moment paqe, ndriçimi dhe secili të mund ta përjetoj ringjalljen e vërtet në brendësinë e zemrës së tij”, ka theksuar për RTK-në Don Marian Topalli, zëvendës famullitar i Katedrales.

Mesha kryesore e Pashkëve katolike do të mbahet në orën 21:00.

Të ngjashme