Lajme
Kastrati: Kërcënimet nga Serbia janë për konsum të brendshëm, policët që e takuan Vuçiqin të suspendohen
Demokracia
16:07 | 25 Mars 2022

Share:

Më 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi. Kërkesë e krerëve të shtetit serb ishte që vendvotimet më 3 prill të hapeshin edhe në territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas presionit ndërkombëtar, qeveria s’lejoi mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Nervozizmi në Beograd u rrit, derisa pati edhe kërcënime me intervenim ushtarak ndaj Kosovës.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë u mbajtjen protesta të serbëve kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Demokracia.com, ka kontaktuar me ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastratin, për ta pyetur rreth kërcënimeve të Serbisë. Ai ka deklaruar se askund në botë nuk lejohen që zgjedhjet të mbahen në një shtet tjetër demokratik, të pavarur dhe sovran siç është edhe Kosova.

“E përshëndes vendimin e qeverisë, më në fund e kemi  marr një vendim si shtet, sepse askund në botë nuk lejohen që zgjedhjet të mbahen në një shtet tjetër demokratik, të pavarur e sovran siç është edhe Kosova. Të gjitha këto deklaratat të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, janë për konsum të brendshëm politik. Dihet se zgjedhjet i kanë më 3 prill dhe kjo gjuhë e Serbisë dhe institucioneve atje është gjuhë e njohur për neve, sepse e kanë përdorur gjithmonë në vitet e ‘90-ta, gjatë luftës e pas luftës. Kjo nuk do të ndikon në destabilizim të situatës së sigurisë”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka thënë se Policia e Kosovës e ka për detyrë që t’i mbikëqyrë dhe të kontrolloj çdo lëvizje të këtyre protestave.

“Qeveria e Kosovës i ka marr këto veprime, e Policia e Kosovës e ka detyrë ligjore që t’i mbikëqyrë dhe të kontrolloj çdo lëvizje të këtyre protestave që mos të ketë ndonjë eskalim eventual të situatës atje”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Kastrati: Zyrtarët e gjyqësorit që takohen me presidentin serb marrin pagë nga buxheti i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dje ka suspenduar Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërkaq më 22 mars, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Serbi ka mbajtur mbledhje për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejohej mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës e aty u raportua se kanë marrë pjesë edhe pesë eprorë të Policisë së Kosovës nga komunat e veriut të vendit.

Lidhur më këto takim ka reaguar edhe Kastrati.

“Nuk mundem t’i kuptoj ata, qoftë ata zyrtarë apo gjyqtarë e policë që marrin pjesë në ato takime me një president të shteti tjetër dhe e marrin pagën prej buxhetit të Republikës së Kosovës. Ata duhet t’i kryejnë detyrat këtu e jo të raportojnë e të marrin pjesë atje. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marr vendim të mirë që ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e unë kisha vepruar njësoj me policët e Kosovës të cilët marrin pjesë në tryeza e takime informative apo informojnë institucionet e Serbisë, sepse ata nëse duan të veprojnë ashtu le të shkojnë të punojnë në Serbi, e paga marrin nga taksapaguesit e Kosovës”, ka thënë ai.

Se a do të ketë trazira të tjera në Kosovë të nxitura nga Serbia, Kastrati e mohon një gjë të tillë.

“Nuk mendoj se ka rrezik për trazira të njëjta siç kanë vepruar serbët në Mali të Zi, sepse kanë kërkuar që të mbahen zgjedhjet edhe në Malin e Zi. Por sikur të kërkonte edhe Kosova një gjë të tillë të ngjashme në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, sigurisht që Serbia nuk do të pranonte që Kosova të mbante zgjedhje, prandaj kemi vepruar drejtë”, tha ai.

Kastrati ka shtuar se duhet të marrim masa si shtet, duhet të marrim vendime si shtet e t’iu tregojmë njëherë e përgjithmonë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme