Lajme
Kardiologjia nën udhëheqjen e dy mjekëve me aktakuzë për “pazare” me pacientë/ Mbi 1000 veta në listat e pritjes për stenta
Demokracia
20:44 | 01 Korrik 2022

Share:

Pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës e të cilët janë të detyruar të vendosin stenta dhe të bëjnë koronarografi, do të shkojnë në njërën prej klinikave e cila udhëhiqet nga dy njerëz të cilët dyshohet se pikërisht për këtë çështje kanë bërë dallavere të mëdha.

Bëhet fjalë për Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Mbi drejtorin e kësaj klinike Lulzim Kamberi dhe shefin e sallave të kateterizimit, Daut Gorani rëndon ende aktakuza për rastin “Stenta”.

Të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje, duke vepruar si persona zyrtarë, si mjekë, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë, të njëjtit, me dashje dhe dijeni, iu kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave, të cilët, edhe pse i kishin kryer trajtimet mjekësore, e në disa raste të afërmve për pacientët që kishin vdekur në spitalet private “International Medicine Hospital” IMH, me qëllim që atyre t’iu kompensonin shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenda 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stendave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro.

Por, kjo nuk e pengoi fare Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) që t’ua besojë Kamberit dhe Goranit këtë pozitë.

Kamberi në qershor të vitit 2021 ishte caktuar ushtrues detyre i drejtorit të kësaj klinike, derisa në tetor të po këtij viti ishte zgjedhur drejtor nga konkursi që ishte shpallur nga ShSKUK-ja.

Kurse, Gorani në vitin 2021 është emëruar ushtrues detyre i shefit të sallave të kateterizimit dhe ka mbajtur këtë pozitë për tetë muaj.

Pas tetë muaj ka dhënë dorëheqje për arsye personale.

Ndërsa, në këtë vit vetëm një muaj më parë Gorani ka pranuar detyrën e shefit të sallave të kateterizimit.

E, derisa mbi aktakuzën që rëndon mbi ta ende nuk është marrë ndonjë epilog, Front Online merr vesh se lista e pritjeve të pacientëve për stenta kalon shifrën e 1 mijëshit.

Ndërsa drejtori Kamberi nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Përgjigje është kërkuar edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, por as zyrtarë të këtij institucioni s’kanë kthyer përgjigje.

Por, që lista është e gjatë e pranon edhe shefi i sallave të kateterizimit në Kardiologji, Daut Gorani.

E, kjo sipas tij është bërë shkaku i pandemisë.

Ndërsa, tregon se tashmë kur kanë filluar t’i thërrasin pacientët vetëm 30% e tyre po përgjigjen pozitivisht.

“Lista u krijua për shkak të pandemisë. Shpresoj shumë shpejt do ta zhdukim listën e pritjes. Është llogaritur mbi 1000 pacient, por kur kemi filluar ti thërrasim vetëm 30% po përgjigjet pozitivisht duke ardhur. Shumë herë koronarografia është kërkuar pa indikacion të saktë. Prandaj, pacientët e kanë kuptuar vet që indikacioni është dhënë pa u shtjerë metodat tjera joinvazive dhe shumica pas ergometrisë negative nuk po vijnë për koronarografi”, është shprehur Gorani.

Kurse, vetëm për një muaj thotë se i kanë realizuar mbi 100 raste.

“Për këto një muaj kemi realizuar mbi 100 raste dhe kemi filluar thirrjet nga lista e pritjes”, ka treguar ai për Front Online.

Sipas tij, nëse punohet me këtë ritëm të punës lista e pritjes do të zhduket brenda 4 apo 5 muajve të ardhshëm.

“Lista të pritjes ka edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Nëse punojmë të papenguar besoj brenda 4-5 muajsh do ta zhdukim listën”, ka pohuar ai.

Gorani, për Front Online ka folur edhe për aktakuzën e cila rëndon mbi të duke thënë se është drejt fundit dhe shpreson që epilogu i saj do të jetë në favorin e tyre.

Kurse, aktakuzën e ka quajtur raciste dhe selektive, derisa për të i ka akuzuar kolegët e tij, për siç thotë se po dëshirojnë ta minojnë punën e tyre.

“Sa i përket aktakuzës “Stenta 2”, ajo është afër fundit dhe shpresoj se epilogu do të jetë në favorin tonë. Ajo aktakuzë raciste dhe selektive është iniciuar nga disa kolegë tonë të cilët po ju japin informata juve mediave dhe janë në vazhdimësi duke e minuar punën tonë shumë kontribuuese në shëndetësinë kosovare. Fatkeqësisht, tërë karrierën e vet e kanë ndërtuar duke akuzuar kolegët dhe duke përfituar nga fatkeqësia e kolegëve më superior në performansë”, është shprehur ndër të tjera Gorani, për Front Online.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi, Ferihane Sefa dhe Masar Gashit.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. ka pushuar procedura penale, pasi i njëjti ka ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet,

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

Seanca e fundit, në lidhej me këtë rast ka dështuar të mbahet më 23 maj të këtij viti, për shkak se kryetarja e trupi gjykues ka munguar.

Në këto rrethana, është anuluar edhe seanca e paraparë për 24 maj, ndërsa e radhës është caktuar më 15 korrik të këtij viti.

Të ngjashme