Karateisti Melos Gashi ka vendosur ta vazhdojë karrierën te Shqipëria. Ai të premten nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se nuk do t’i mbrojë më ngjyrat e Kosovës në ngjarje të karatesë.
Gashi është karateist me potencial, ndërsa së fundi është lënë jashtë listës së Kosovës për Kampionatin Botëror që do të mbahet këtë muaj në Budapest të Hungarisë.
Gashi 20-vjeçar është i kategorisë deri 84 kilogramë.
“Shkaku i ngjarjeve dhe padrejtësive të fundit që më janë bërë mua si garues nga individ jolegjitim dhe të vetëshpallur në FKK, duke më ndëshkuar për Kampionatin Ballkanik e duke më etiketuar moralisht, si dhe më pas duke më eliminuar nga lista e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror për të cilin jam përgatitur tash e një vit. Kjo padrejtësi ndaj meje është e papranueshme, sepse nuk e meritoj këtë poshtërim, shkelje te djersës, si dhe këtë stres e ngarkesë që më është shkaktuar. Si pasojë e këtyre padrejtësive, me keqardhje ju njoftoj se unë nuk do jem më përfaqësues i Federatës së Karatesë së Kosovës. Unë kam vendosur që karrierën time si sportist tani e tutje ta vazhdoj në një kapitull të ri, duke e përfaqësuar me nder dhe krenari Kombëtaren e Shqipërisë dhe ngjyrat kuq e zi”, ka shkruar Gashi.
Melsi është i biri i Avni Gashit, që pretendon se është udhëheqës legjitim i Federatës së Karatesë së Kosovës. Por ka edhe një grup tjetër që po ashtu pretendojnë se janë legjitim për ta drejtuar FKK-në. Grupi tjetër udhëhiqet nga Nazmi Gashi dhe Besart Baruti.
Për shkak të ndarjeve dhe telasheve, ka pasur edhe më herët largime nga Kosova. Alvin Karaqi, Orges Arifi dhe Blodin Pakashtica u larguan nga Kosova për të garuar për Shqipërinë.