Lajme
Kaq të moshuar ka në Kosovë të strehuar nga shteti, pritet të shtohet numri i shtëpive strehuese
Demokracia
09:00 | 05 Prill 2021
ilustrim

Share:

119 të moshuar janë banorë rezidentë në shtëpitë për të moshuar në të gjithë Kosovën, ndërsa asnjë nuk e ka humbur betejën me pandeminë Covid-19 dhe brenda muajit prill pritet të ndërtohet edhe një tjetër e tillë në komunën e Artanës.

Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale në një përgjigje për Demokracia.com kanë bërë të ditur se 119 persona të moshuar janë nën mbrojtjen shtetërore 24 orëshe në të gjitha shtëpitë për të moshuar brenda territorit të Kosovës.

“Në Shtëpinë e personave të moshuar në Prishtinë dhe në tri shtëpitë me bazë në komunitetin e të moshuarve përfundimisht edhe me muajin mars të vitit 2021 janë nën mbrojtje rezidenciale 24 orë, 119 të moshuar”, u tha në përgjigjen e MPMS-së.

Duke pasur parasysh gjendjen me pandeminë Covid-19, në shtëpitë për të moshuar brenda vitit 2020 deri në muajin mars të vitit 2021 asnjë i moshuar nuk ka humbur betejën me këtë virus.

“Falë masave adekuate të ndërmarra me kohë të rekomandurara nga IKSHPK-ja, deri më sot nuk e kemi asnjë të vdekur nga ky virus”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Prej katër (4) shtëpive për të moshuar, që gjenden në territorin e Kosovës, pritet që brenda muajit prill kësaj liste t’i shtohet edhe një tjetër shtëpi në komunën e Artanës.

“Në Kosovë janë katër shtëpi në të cilat trajtohen 24 orë të moshuarit pa përkujdesje familjare dhe raste sociale. Këto shtëpi janë në Prishtinë, Skenderaj, Gurrakoc-Istog dhe në Graçanicë. Shtëpia e pestë brenda këtij muaji (prill) do të hapet në Artanë, e cila do të ketë kapacitet prej 14 shtretërve.

Në shtëpitë për të moshuarit brenda territorit Kosovës 58 prej tyre janë nga gjjnia femërore, ndërsa 61 të tjerët i përkasin gjinisë mashkullore.

Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të banorëve rezidentë të komunitetit të të moshuarve në Kosovë. Po ashtu edhe vdekjet dhe regjistrimet e reja prijnë në komunën e Prishtinës, pasi që numri i banorëve është më i madh se në shtëpitë nëpër komuna tjera.

Sa i përket të moshuarve që janë nën mbrojtje rezidenciale dhe sociale asnjë nuk është i vdekur nga pandemia, kurse vdekje të natyrshme kemi herë pas here por kemi edhe vendosje të reja.

Pasi numri i rezidentëve është më i madh në Shtëpinë e personave të moshar në Prishtinë, vdekjet janë më të shpeshta në këtë institucion, ndërsa edhe banorët vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme