Lajme
Kapja e administratës | Kurti s’përfill Aktgjykimin e Kushtetueses, mban në fuqi nenin skandaloz që i bënë të përkohshme pozitat e mesme dhe të ulëta drejtuese (Dokument)
Demokracia
21:11 | 04 Mars 2024

Share:

Kur Lëvizja Vetëvendosje miratoi në vitin 2023 Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, me 7 paragrafët nga neni 99 po vendosnin bazën ligjore që në mënyrë të padrejtë të largonin me qindra-mijëra zyrtarë shetërorë nga puna.

Sipas paragrafëve 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99, të gjithë zyrtarët e administratës shtetërore në pozitat e nivelit të mesëm drejtues (drejtorët e departamenteve) dhe nivelit të ulët drejtues (udhëheqësit e njësive) do të mund të humbnin vendin e tyre të punës, pasi parashihej të hapej procedura e konkursit të hapur publik, shkruan Demokracia.com.

Të gjithë këta paragrafë, Gjykata Kushtetuese i kishte hedhur poshtë në Aktgjykimin e saj KO 220/22.

“Paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 3 korrik 2023.

QEVERIA KURTI NUK ZBATON AKTGJYKIMIN E KUSHTETUESES

Pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës ka qenë e detyruar që të përmirësojë Ligjin për Zyrtarët Publikë në nenet të cilat kjo Gjykatë i ka hedhur poshtë si kundërkushtetuese.

Por, Qeveria Kurti nuk po përfill plotësisht Aktgjykimin e Kushtetueses, duke i mbajtur në fuqi pikërisht paragrafët e nenit 99, të cilat ia mundësojnë të kapin qindra-mijëra pozita në administratën shtetërore të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues.

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, por kjo nuk ka aspak rëndësinë për Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili në jo pak raste ka sulmuar drejpërdrejtë pikërisht këtë institcion.

Demokracia.com ka siguruar sërish Projektligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, ku siç thuhet në nenin 1, qëllimi është që të përfshihen edhe Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese KO 216/22 dhe KO 220/22.

Sipas Projektligjit që ka siguruar Demokracia.com, Qeveria Kurti jo vetëm që ka lënë në fuqi 7 paragrafët e nenit 99, por pas paragrafit 14 e ka shtuar edhe një paragraf tjetër, të 15-tin.

Në rast se Qeveria Kurti do të largonte 7 paragrafët e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, neni i 15-të i propozuar do të mbante numrin rëndor 8 e jo 15.

Nuk ka ndodhur më parë, në historinë institucionale të Republikës së Kosovës, që të mos zbatohen Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur të njëjtat kanë rezultuar me rrëzimin e Preidentëve Sejdiu e Pacolli apo edhe të Qeverisë Hoti. /Demokracia.com /

27.02.2024-Projektligji-për-Zyrtarët-Publikë-Plotësim-Ndryshimi_final-1


Të ngjashme