Intervista
Kapelani i njohur shqiptaro-amerikan i policisë së Nju-Jorkut: Sa bërtasim për “patriotizëm”, le ta vërtetojmë me vepra konkrete
Demokracia
13:00 | 23 Mars 2024

Share:

Imami Tahir Kukaj, i cili udhëheq Qendrën Islame-Kulturore në Staten Island të Nju-Jorkut dhe shërben si kapelan mysliman i policisë së Nju-Jorkut, ka folur në një intervistë për Demokracia.com lidhur me organizimin e komunitetit mysliman atje, marrëdhëniet Kosovë-SHBA, radikalizmin fetar, gjykimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kombin e fenë.

Kukaj, i cili udhëheq me këtë qendër që njihet për tolerancën fetare, tregon se aty kultivohen traditat kombëtare dhe fetare.

“Në Qendrën Islame-Kulturore Shqiptare këtu në Staten Island New York, që është themeluar në vitin 1990, kemi arritur të ndërtojmë një Qendër Islame Shqiptare, ndër më të mëdhat në shtetin e New Yorkut. Kemi shkollën tonë shqiptare-islame që nga viti 1999, prej parashkollores deri në vitin e 12-të gjimnaz. Kemi qendër kulturore që kultivojmë traditat tona kombëtare e fetare dhe punojmë pandërprerë që të jemi në shërbim të çështjes kombëtare dhe fetare. Këto dy komponente të identitetit tonë janë të pandashme për ne”, tha Kukaj për Demokracia.com.

Imami Tahir Kukaj foli edhe për detyrën e tij si Kapelan i Policisë së New Yorkut.

“Ky post nuk besoj se gjendet në vendin tonë, ngase kultura “laike“ tek ne nuk e pranon që një imam apo prift duhet të jetë udhëheqës shpirtëror dhe shembull morali për Departmentin e Policisë. Këtu në Shtetet e Bashkuara – shtet laik, por jo ateist – roli i liderit fetar çmohet shumë. Shkurt prej Shtepisë së Bardhë në Washington e deri tek instancat më të thjeshta e ordinere, kleri fetar është përherë në listë. Unë kam nderin të jem Kapelani i Parë Shqiptar Mysliman i Departemanetit më të madh në USA dhe me famë botërore NYPD. Ky është përshkrimi i detyrës së kapelanit në NYPD. Duke njohur nevojën për t’u kujdesur për nevojat emocionale dhe shpirtërore të anëtarëve të tij, departamenti formoi Njësinë e Kapelanëve në 1906. Që nga ajo kohë, ne kemi ndihmuar me sukses anëtarë të panumërt të shërbimit dhe familjet e tyre gjatë periudhave të vështira ose stresuese. Njësia e Kapelanëve ofron këshillim konfidencial, ndihmë shpirtërore dhe udhëzim moral. Përveç kësaj, kapelanët janë në dispozicion për shërbime të ndryshme fetare, sipas kërkesës. Kapelanët e departamentit tonë janë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe u përgjigjen drejtpërdrejtë incidenteve serioze që përfshijnë anëtarë të shërbimit. Kapelanët e departamenteve ofrojnë gjithashtu kujdes religjioz, duke vizituar anëtarët e shërbimit që janë të lënduar ose të sëmurë. Kapelanët tanë ofrojnë mbështetjen dhe shtrirjen e nevojshme, duke vizituar objektet e policisë për të promovuar mirëqenien e oficerëve. Kjo u jep kapelanëve një mundësi për të bashkëvepruar me anëtarët, sipas urdhrave të tyre”, ka treguar ai.

Kukaj foli edhe për radikalët fetarë, por sipas tij, njerëzit duhet të merren me papunësinë, korrupsionin politik, etj.

“Shpesh përdorim terminologji në vend të gabuar, sikur “radikal”. Në islam nuk ka radikal a liberal. Islami është një. Interpretimi i tij ndryshon nga kapaciteti i personit që mundohet ta predikojë dhe nga agjenda e tij. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do mbesin myslimanë apo të krishterë, me atë koncept të afërsisë ndaj krijuesit dhe përhapjen e bamirësisë ndaj çdokujt dhe ndaj çdo krijese. Terminologjitë politike mbeten politike dhe nuk duhet t’i lejojmë të veshin petkun fetar. Besimtarët, qoftë të krishterë apo myslimanë, nuk janë gjykues ndaj askujt. Secili duhet të jetë përgjegjës për veten e tij. Kjo vlen edhe për “radikalët” jofetarë që i pengon aspekti fetar i besimtarëve, qoftë i krishter apo mysliman. Opinioni publik besoj se duhet të jetë i preokupuar me plagë tjera të shumta në shoqerinë tonë, rinia, papunësia, degjenerimi, korrupsioni politik, hipokrizia tek një pjesë e intelektualëve shqiptarë. Më vjen keq kur shoh se opinioni në të shumtën e rasteve përqëndrohet në “radikal” dhe nuk tregohen të kujdesshëm të paraqesin figura progresive në mesin e popullit tonë. Kur sheh mediat të mbushet mendja se ky popull është në një dekadencë, ndërsa e vërteta e popullit tonë është ndryshe nga portalet që çojnë ujë në mulli të serbit dhe armiqve tjerë të popullit tonë”, tha për Demokracia.com kapelani Tahir Kukaj.

Ai ka folur edhe për debatin mbi rëndësinë e fesë dhe kombit.

“Ky debat është qëllimkeq dhe kundër kombit e fesë. Me këtë merren vetëm ata që nuk ia duan të mirën popullit tonë. Nuk ka popull në botë që merret me këtë “temë”. Vetëm disa nga ata që kanë agjenda antishqiptare dhe antifetare. Ata që merren me këtë temë kurrë nuk kanë bërë asgjë as për kombin e as për fe. Sot sulmohet pandalshëm identiteti islam i shqiptarëve, nesër mund të sulmohet çfarëdo identiteti tjetër fetar apo kulturor”, u shpreh ai.

Kukaj foli edhe për programin e tij të veçantë, me të cilin një herë në vit organizon takime ku zhvillohet dialog mes komunitetit katolik dhe atij mysliman.

“Në bashkëpunojmë me të gjitha komunitetet fetare këtu në USA, e marrëdhënie vëllazërore kemi me Kishen Katolike Zonja e mirë e Shkodrës, që udhëhiqet nga Dom Pjetër Popaj, me të cilin kemi raporte shumë të mira. Po ashtu, kemi marrëdhënie me Kishën Ortodokse Shqiptare në Boston, me Arkimandritin Nikodhim, Peshkopin e Bostonit dhe kishën tjetër në Queens NY”, tregoi ai.

Imami i njohur shqiptaro-amerikan foli edhe për ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“E përcjell rrjedhjen e ngjarjeve në vendin tonë. Me keqardhje e them se sa bërtasim për “patriotizëm” shumë pak bëjmë ta vërtetojmë këtë me hapa konkretë. Fatmirësisht, këtu nuk mund t’i fajësojmë “radikalët”, por faji këtu është i të gjithëve. Politikanët që nuk qeverisin si duhet dhe sipas interesave kombëtare duhet të largohen me votë. Populli duhet të jetë më shumë në rrjedha. Populli është sovran. Vetëm pse e ke votuar Qeverinë, nuk do thotë se tash e ka kryer punën, pasi duhet vështruar e përcjellë çdo gjë, ngase në fund populli e paguan faturën. Unë besoj se mund të kemi mendime të ndryshme nga Administrata Amerikane, por nuk besoj se duhet të kundërshtohemi dhe të kemi mospajtime. Këtu në USA, republikanët dhe demokratët kundërshtohen pothuajse për çdo gjë, por në fund interesi i SHBA-së është kulminant. Nuk jam i sigurt nëse Qeveria është transparente sa duhet me popullin, për sa i përket qëndrimeve të SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Kukaj e komentoi edhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës në Hagë, përkatësisht gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Ne e përcjellim procesin e këtij gjykimi. Për mendimin tim është i padrejtë dhe mjafton të themi se kur përzihen politika me drejtësinë, aty nuk ka drejtësi. Veprimtarët shqiptarë këtu janë në lëvizje dhe ekzistojnë biseda për liderët e Kosovës që mbahen pa të drejtë sipas mendimit tim në Hagë”, u shpreh ai.

Kukaj njihet për angazhimin e tij të madh në SHBA kundër racizmit, antisemitizmit, ksenofobisë, islamofobisë dhe urrejtjes në të gjitha format e saj. /Demokracia.com/

Të ngjashme