Lajme
Kapacitet dhe sfidat financiare për të ndërtuar Depon Qendrore të Barnave në Kosovë
Demokracia
08:09 | 15 Qershor 2024

Share:

Kosova është duke synuar të krijoj një depo të barnave në nivel qendror që do të shërbej për të ruajtur dhe furnizuar institucionet shëndetësore me barna dhe pajisje mjekësore.

Ndonëse, tentativa të tilla ka pasur edhe në të kaluarën tashmë është marrë një hap fillestar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila ka shpronësuar një parcelë për të ndërtuar një depo për ruajtjen e barnave që sipas institucioneve “do t’i plotësojë të gjitha standardet”.

Megjithatë, ky plan mund të has në sfida të buxhetit pasi që kërkohet që për ndërtimin e një depo të barnave të ketë planifikim të kujdesshëm e burime të mjaftueshme financiare.

Realizimi i saj po ashtu, duhet të ketë mbështetje nga organizatat ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë, ka një depo qendrore por për të njëjtën ishte raportuar se edhe barnat me afat e edhe ato me të skaduara ruhen bashkë.

Teksa, e njëjta ka edhe mungesa elementare të shumta duke nisur nga ajrosja, ndriçimi, e izolimi.

Depoja Qendrore e Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë.

“S’janë ndarë mjete buxhetore për ndërtimin e depos”

Nagip Skenderi, i cili është profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thekson se ndonëse si tentativë është mjaft e mirë, nga ministria e Shëndetësisë s’ka pasur ndarje buxhetore për këtë plan.

Ai përmend disa nga planifikimet që janë prezantuar nga MSH-ja nga buxheti i vlerësuar si më i larti që nga paslufta.

“Shumica e mjeteve financiare buxhetore janë planifikuar për listën e barnave esenciale, investimet kapitale neper klinika e spitale, buxhet të ndarë për specializime të reja dhe një pjesë të buxhetit e ka planifikuar për nisjen e sistemit informativ shëndetësor”, thotë Skenderi për AP.

Skenderi, deklaron se është e pakuptueshme se ku do të merret buxheti për ndërtimin e kësaj depo.

“Kjo do të thotë që për ndërtimin e një depoje për barna farmaceutike nuk janë planifikuar dhe ndarë mjete buxhetore. Dhe, shtrohet pyetja se nga cilat linja buxhetore do të ndahen dhe sigurohen këto mjete financiare, që mendoj se është shumë e konsiderueshme mjetesh financiare?”.

Ministria e Shëndetësisë.

Paqartësi ka edhe tek një çështje tjetër.

“E po ashtu, një tjetër mossqarim nga ana e institucioneve është se kush do të jetë ofertues për tenderë apo do të jetë ndonjë ofertues pa procedura tenderimi ashtu siç jemi dëshmitar kohët e fundit që kemi kontrata një burimore nga ana e kësaj Qeverie, për projekte të shumta pothuajse në të gjitha ministritë dhe agjencionet buxhetore, ndërmarrjet publike”.

“Kosova ka kapacitete për ndërtimin e depos së barnave”

Ndryshe nga Skenderi, anëtari i Komisionit për Shëndetësi njëherësh edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, konsideron se Kosova mund të krijoj një depo të tillë.

“Kosova, ka kapacitete për ndërtimin e një depo të barnave”, thotë Dreshaj gjatë një bisede për Albanian Post.

Ai shton se një iniciativë e tillë është shumë e rëndësishme.

“Edhe në të kaluarën kemi pasur nevojë për ndërtimin e një depo të tillë, edhe sot është shumë e nevojshme”.

Dreshaj, pohon se Kosova ka pasur në të kaluarën një depo të ngjashme – por që në të ka pasur dëme materiale.

“Një depo në të kaluarën ka qenë, por ka qenë e dëmtuar, nuk e di a ekziston akoma, por ruajtja e barnave në to nuk bëhet”.

Një depo e barnave ishte përuruar nga ish ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, para 15 vjetësh.

Në atë kohë ai kishte vlerësuar se hapja e kësaj depoje do të siguronte kushte shumë të mira për ruajtjen e barnave, do të kursente buxhetin e ministrisë, sepse s’do të duhej të paguhej qira për ruajtjen e barnave.

A kanë vendet e rajonit depo të barnave?

Në Shqipëri, kryesisht ka një depo qendrore të barnave që shërben për furnizimin e institucioneve shëndetësore me barna dhe pajisje mjekësore.

Ngjashëm, edhe në Maqedoninë e Veriut është një depo qendrore, por që në disa qytete mund të ketë edhe depo lokale të barnave që shërbejnë për furnizimin e institucioneve shëndetësore në këto zona.

Ndërsa edhe në Serbi ka disa depo të barnave që shërbejnë për furnizimin e institucioneve shëndetësore me barna.

Këto depo janë të vendosura në qytete të ndryshme dhe janë përgjegjëse për sigurimin dhe distribuimin e barnave në nivel lokal dhe qendror.

Depoja e barnave siguron që medikamentet të ruhen në kushte optimale për të ruajtur efektivitetin e tyre, kjo përfshin kontrollin e temperaturës, lagështisë, dhe dritës, të cilat mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe efektivitetin e barnave.

Të ngjashme