Lajme
Kaosi në Kuvend, përjashtohen Sali Berisha dhe 5 deputetë të opozitës
Demokracia
17:14 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe pesë deputetë të opozitës janë përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi.

Kjo ka ardhur pas kërkesës së Partisë Socialiste, lidhur me situatën e krijuar në seancën e shkuar plenare.

Bashkë me Berishën, janë përjashtuar Gazment Bardhi, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.

Vetëm 17 minuta.

Kaq zgjati seanca plenare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të hënën e 4 dhjetorit.

Pas tensioneve dhe kaosit të shkaktuar nga një pjesë e deputetëve të opozitës, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u detyrua të njoftojë mbylljen e seancës.

Ajo theksoi se seanca e radhës do të njoftohet ditë tjetër. Nikolla, lajmëroi edhe përjashtimin e deputetit demokrat Flamur Noka.

Ndërkaq deputetët e opozitës, kanë shkuar rreth 1 orë para nisjes së seancës dhe janë përplasur me Gardën.

Kjo e fundit u ka ushtruar kontrolle në derë që të mos fusin tymuese.

Një moment pati tension mes Flamur Nokës, pasi nuk u lejuar të futej pasi sipas Gardës kishte flakadanë.

Disa ditë më parë u përjashtuan nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe seancave plenare, pas ngjarjeve të së hënës së 20 nëntorit, kur mes kaosit dhe flakadanëve të ndezur brenda sallës, u votua buxheti 2024 në vetëm pesë minuta, katër deputetë opozitarë, të cilët i shkaktuan këto trazira.

Vendimi është marrë nga Sekretariati i Etikës, i cili ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë nga punimet deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi, Bledian Nallbati dhe Flamur Hoxha.

Ndërkaq, pavarësisht se në shkresën e Partisë Socialiste drejtuar Kuvendit, kërkohej masë edhe për deputetet Sorina Kori dhe Albana Vokshi, nuk është marrë një e tillë.

Në shkresën e grupit të PS drejtuar Lindita Nikollës, thuhet ndër të tjera se kërkohet të merret masë disiplinore ndaj gjashtë deputetëve për shkak se kanë përsëritur disa herë bllokimin e seancën plenare.

Të ngjashme