Lajme
Kandidati i preferuar i pushtetit për Kryeprokuror të Shtetit shoqërohet me mashtruesin e dënuar për krime
Demokracia
22:05 | 16 Mars 2022

Share:

Një person që njihet si mashtrues duke u thirrur si njëri i Amerikës, rezulton të jetë njëri i afërt me Prokurorin e Krimeve të rënda, Armend Hamiti. Bëhet fjalë për Shaban Kilajn

E kaluar e errët mashtruese e kriminale e Kilajt tashmë është e njohur për organet e drejtësisë, shkruan paparaci.

Shaban Kilaj, ishte dënuar për një sërë veprash penale si: për kontrabandim me migrantë, për mashtrim, për kërcënim të një zyrtari policor të Kosovës dhe për falsifikim të një shume të konsiderueshme dollarësh amerikanë.

Kilaj gjatë vitit 2010 – 2011 ishte kapur duke kontrabanduar migrantë, duke u thirrur si zyrtare qeveritare.

Ai kishte siguruar ftesa për udhëtime zyrtare në SHBA, në krye me zyrtarë të lartë qeveritarë, në të cilat ftesa ishin të përfshirë edhe personat, të cilët nuk ishin zyrtarë të qeverisë.

Pas lëshimit të notave verbale Kilaj kishte arritur që të sigurojë viza zyrtare në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup për gjithsej nëntë persona, të cilët më pas kishin emigruar në SHBA.

Kurse në gusht të vitit 2012, ai kishte kërcënuar një hetues policor duke u zotuar se do ta bënte policin e Kosovës të “paguante shtrenjtë” për kinse shantazhet ndaj tij.

Përgjatë vitit 2012 Kilaj akuzohej për prokurimin e 800 dollarëve të falsifikuar amerikanë.

Megjithatë, krejt këto vepra penale, nuk kanë qenë pengesë që ai të ndërtojë një relacion të afërt me prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti.

Hamiti, është kandidati që po përkrahet nga pushteti i Vetëvendosjes së udhëhequr nga Albin Kurti për të udhëhequr pozitën më të lartë të shtetit.

Njerëzit e afërt të Kurtit po mundohen të ‘eliminojnë’ kandidatët më të fortë për kryeprokurorë të shtetit vetëm që gara për Hamitit të jetë më e lehtë.

Përderisa pushteti është mobilizuar në përkrahje të Hamitit atyre iu ka dale një problem. Kanë nuhatur rrezikun se nga komisioni vlerësues do të notohet si më i mirë Blerim Isufaj, kryeprokurori i Speciales.

Për ta eliminuar nga gara Isufaj nisën një beteje kundër tij duke ngritur një kallëzim penal. Mirëpo pas ditëve është hedhur poshtë kallëzimi i pa bazuar kundër Isufajt.

Ky pushtet nuk po lë “gurë” pa lëvizur me qëllim që i pëlqyeri i pushtetit të bëhet kryeprokuror.

Paparaci ka siguruar fotografi të takimeve të Hamitit dhe Kilajt. Një i tillë është zhvilluar mbrëmjen e 20 nëntorit 2021 në restorantin “Pinokio” në Prishtinë. Aty, shihet prokurori Hamiti duke e nderuar një kriminel të dënuar për disa vepra penale. Madje, ia mban edhe karrigen.

Të ngjashme