Lajme
Kancelari Merz nga Tirana: Amerikanët duhet në krahun tonë, Evropa të mbështesë fuqishëm Ukrainën
Demokracia
15:04 | 16 Maj 2025

Share:

Kancelari gjerman Friedrich Merz, nga Samiti i Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë, përcolli një mesazh të qartë për të gjithë kontinentin: Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij para liderëve europianë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Merz theksoi se vizita e përbashkët në Kiev me liderët europianë ishte një shenjë vendosmërie për mbështetjen ndaj Ukrainës në të gjitha aspektet.

“Bashkë me Donald Trump, Kier Starmer, Emmanuel Macron shkuam në Kiev për t’u takuar me Zelenskyn, e bëmë këtë jo vetëm ne si individë, por shpresoj fort që këtë e kemi bërë fort edhe në emrin tuaj, për të treguar vendosmërinë tonë për përkrahjen për vendin tuaj. Ne jemi të vendosur që ne duhet të vazhdojmë të japim mbështetje të fortë nga aspekti politik, ekonomik, ushtarak Ukrainës”, tha ai.

Kancelari gjerman nënvizoi rëndësinë e qartësisë në mesazhet që Evropa duhet të përcjellë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. “Përpjekjet tona kanë treguar një sukses të vogël diplomatik. Fakti që ata po takohen për herë të parë pas 3 vitesh e gjysmë është ndoshta një sinjal shumë i vogël, por i fortë. Duhet të jemi të qartë për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, të ketë pikë dyshimi që jemi të angazhuara dhe të gatshëm të japim mbështetjen tonë të plotë”, u shpreh Merz.

Duke iu referuar sfidave të tjera që po përjeton kontinenti, ai përmendi edhe krizën e emigracionit, si një problem që kërkon zgjidhje të përbashkëta, por edhe angazhime individuale nga shtetet anëtare.

“Ju e dini që vendi im i është skajshmërisht mirënjohës për atë që SHBA ka bërë pas Luftës II Botërore. Duhet të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që amerikanët t’i kemi në anën tonë. Nuk mund t’i zëvendësojmë kurrsesi. Sistemet tona politike, demokracitë tona, janë në rrezik”, theksoi ai.

Në fund, Kancelari kërkoi që Gjermania të ketë një rol më të madh e më të dukshëm në arenën europiane, si një mënyrë për të garantuar stabilitetin dhe kohezionin e Bashkimit Europian.

“E di që ka pasur kritikë për angazhimin gjerman, për pushtimin e Gjermanisë ndaj Europës, institucioneve europiane dhe Bashkimit Europian. Unë i kam kërkuar qeverisë sime të jetë sa më shumë që të jetë e mundur e pranishme në nivel europian, për të treguar që Gjermania është tërësisht e angazhuar për atë që është e domosdoshme në Europë tashmë”, përfundoi Merz.

Të ngjashme