Lajme
Kancelari Kurz: Marrëveshja kërkon vullnet dhe guxim të Beogradit e Prishtinës
Demokracia
10:53 | 26 Janar 2021

Share:

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se duhet vullnet dhe guxim nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë marrëveshjen përfundimtare.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në një intervistë për mediumin serb “Kurir”, ka folur edhe për Kosovën dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe gjasat për një marrëveshje të paqes mes dy vendeve.

I pyetur si e sheh Kosovën 13 vite pas shpalljes së pavarësisë, kancelari Kurz vërejti se Austria ka marrëdhëniet të shkëlqyera me Kosovën dhe se edhe Kosova, sikur vendet tjera, po përballet me sfida të shkaktuara nga pandemia dhe pasojat që ka lënë në ekonomi.

“Austria ka marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me Kosovën. Me kontigjentin tonë të trupave në KFOR, numrin më të madh të forcave të armatosura austriake jashtë vendit, ne kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe tërë rajonit. Austria është një nga investitorët më të mëdhenj (në Kosovë). Si të gjithë ne, edhe Kosova po përballet me sfida veçanërisht të mëdha duke pasur parasysh pandeminë globale dhe pasojat e saj ekonomike. Prandaj, është e rëndësishme që sa më shpejtë të rivendoset stabiliteti politik pas zgjedhjeve që po vijnë. Kjo do të jetë e rëndësishme edhe për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Kurz.

Duke folur për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndërmjetësimin e BE-së, Kancelari austriak ka thënë se “pa BE-në nuk do të kishte marrëveshje të Brukselit”.

“Pra, kemi të arritura. BE-ja edhe më tutje ka rol vendimtar në dialog. Këtë detyrë BE-ja ia ka besuar Mirosllav Lajçakut, diplomat me përvojë, i cili gëzon mbështetjen e plotë të BE-së dhe Austrisë”, ka thënë Kurz, transmeton Demokracia.com.

Kancelari Kurz, vendi i të cilit ka qenë ndër përkrahësit aktiv të çdo procesi dialogues në mes të Kosovës dhe Serisë, ka thënë se për të pasur sukses dialogu “duhet pasur vullnet politik dhe guxim në Beograd dhe Prishtinë”.

“Gjithashtu nevojitet edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në”, u shpreh Kurz.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në këtë intervistë e ka ripërsëritur qëndrimin e njëjtë të cilin e kishte thënë edhe para dy vitesh gjatë vizitës së tij në Serbi, se shteti serb nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa i normalizuar marrëdhëniet me shtetin kosovar.

“Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”. /Demokracia.com/

Të ngjashme