Lajme
Kancelari gjerman: Evropa momentalisht s’mundet pa gazin dhe naftën ruse
Demokracia
18:14 | 07 Mars 2022

Share:

Importi i gazit dhe naftës nga Rusia është vendimtar për jetën e përditshme të qytetarëve evropianë dhe furnizimi i kontinentit nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë tjetër për momentin, tha të hënën kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ndërsa sanksionet ndaj energjisë ruse po diskutohen në SHBA dhe BE si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, “furnizimi me energji i Evropës për ngrohje, lëvizshmëri, energji elektrike dhe industri nuk mund të garantohet në asnjë mënyrë tjetër në këtë kohë”, thuhet në një deklaratë të shkruar të kancelarit gjerman, transmeton Demokracia.com.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë po shqyrtojnë një ndalim të importeve të naftës ruse, duke theksuar rëndësinë e një furnizimi të qëndrueshëm global të naftës.

“Ne jemi në bisedime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për ndalimin e importeve të naftës ruse”

“Ne jemi në bisedime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për të ndaluar importin e naftës ruse në vendet tona, natyrisht, duke ruajtur një furnizim të qëndrueshëm global të naftës”, tha Blinken në një intervistë për NBC.

Frika nga një embargo perëndimore ndaj naftës ruse katapultoi çmimet e arit të zi të hënën.

Evropa “qëllimisht”, thotë Scholz, ka përjashtuar burimet ruse të energjisë nga sanksionet e para kundër Moskës, sepse një masë e tillë do të destabilizonte tregjet dhe do të kishte një ndikim shumë të fortë në ekonomitë evropiane.

Gjermania është ndër ato vende të Bashkimit Evropian që varen shumë nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit nga Rusia, kujtoi Scholz, duke shtuar se Berlini po punon për zhvillimin e alternativave ndaj asaj energjie ruse. “Por kjo nuk mund të arrihet nga sot në nesër.”

Dhuna e Rusisë në Ukrainë po ushtron presion mbi BE-në për të vendosur sanksione shtesë në sektorin e energjisë. Rreth 40 për qind e gazit natyror të përdorur në Evropë vjen nga Rusia, si dhe një e katërta e naftës, shkruan BBC.

Shtetet e Bashkuara dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duan që Brukseli të paktën të vendosë sanksione ndaj importeve të naftës. Vendet e Evropës Lindore, si vendet baltike, të cilat ndjehen të ekspozuara ndaj kërcënimit rus, janë dakord.

Por vende të tjera, si Gjermania dhe Italia, kanë frikë nga rritja e çmimeve të energjisë.

Udhëheqësi francez Emmanuel Macron do të ketë së shpejti zgjedhjet presidenciale, ndaj ka frikë nga lëvizjet jopopullore të votuesve, të cilët do të paguajnë rritjen e çmimeve.

Prandaj, Bashkimi Evropian deri më tani ka shmangur të flasë për sanksione energjetike. Në vend të kësaj, ajo përsëriti një plan për të lëvizur sa më shpejt që të jetë e mundur nga varësia e energjisë nga Rusia, për të gjetur furnizues alternativë dhe për të punuar në burime të qëndrueshme të energjisë, shton BBC. /Demokracia.com/

Të ngjashme