Lajme
Kancelari austriak në takim me Biden: Mbroje Ballkanin Perëndimor nga Rusia e Kina
Demokracia
20:09 | 25 Mars 2022

Share:

Kancelari austriak, Karl Nehammer i ka kërkuar presidentin amerikan, Joe Biden që ta mbrojë Ballkanin Perëndimor, në kohën kur Rusia po tenton ta pushtojë Ukrainën.

Ballkani Perëndimor, edhe pse nuk ishte në agjendën e tri samiteve që u mbajtën në Bruksel më 24 dhe 25 mars, ka qenë një çështje që u përmend në sfond nga Nehammer, përcjell Demokracia.com.

Nehammer përgjatë minutave që i kishte të rezervuar për t’u adresuar, ka theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbrohet.

“Si austriakë, kemi shansin që të flasim sot me Amerikën këtu dhe do të jenë dy çështje: në njërën anë, lufta në Ukrainë, në të njëjtën kohë, nevoja që të mos harrohet Ballkani Perëndimor”, ka thënë ai.

Nehammer ka qenë një prej tetë liderëve europianë, bashkë me ata nga Letonia, Luksemburgu, Polonia, Çipro, Suedia, Austria dhe Spanja, që patën mundësi të adresohen gjatë samitit ku i pranishëm ishte Biden.

“Masat këtu janë që të sigurohet se Ballkani Perëndimor nuk do të bëhet një sferë e influencës ruse apo fuqi të tjera siç është Kina”, ka shtuar kancelari austriak.

Vlen të përmendet se vizita e Piden në Europë vjen pas organizimit të samiteve të jashtëzakonshme për shkak të situatës Rusi-Ukrainë.

Nehammer në anën tjetër, gjatë muajit mars ka qëndruar për vizitë në Kosovë ku është takuar me liderët e vendit./Demokracia.com/

Të ngjashme