Pesëdhjetë e tre persona u gjetën të vdekur pak ditë më parë në rimorkion e një kamioni të braktisur në San Antonio të Teksasit, 7 prej të cilëve ishin shtetas nga Guatemala. Dy prej tyre ishin adoleshentë. Familjarët rrëfejnë për Zërin e Amerikës kushtet e vështira ekonomike në të cilat ata jetonin dhe që i detyruan ata të ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm.
Pascual Guachiac dhe Juan Tulul ishin kushërinj, përkatësisht 13 dhe 14 vjeç. Ata banonin në Guatemala.
“Pesëmbëdhjetë ditë më parë ata u larguan, për një jetë më të mirë, për të bërë përpara. Ndoshta mendonin se do të kishin një të ardhme atje, por më pas ndodhi kjo tragjedi”, thotë Nicolás Suy, familjar i viktimave.
Adoleshentët, që udhëtonin të pashoqëruar për në Shtetet e Bashkuara, ishin dy nga 53 personat nga Meksika, Guatemala dhe Hondurasi që gjetën vdekjen brenda një kamioni në San Antonio të Teksasit për shkak të të nxehtit.
“Ne këtu në Guatemala, jemi të varfër. Djali tha se donte një jetë më të mirë, ndaj dhe u largua. Por ndodhi kjo fatkeqësi”, thotë Manuel Tulul, babai i një prej vitkimave.
Autoritetet ndërkohë kanë konfirmuar se 5 persona nga Guatemala humbën jetën në kamion.
“Krahas 5 viktimave, 3 shtetas të tjerë ndodhen në spital. Gjendja e tyre është shumë delikate”, tha Mario Búcaro, Ministër i Jashtëm i Guatemalës.
Sipas tij testet e ADN-së po kryhen për të konfirmuar identitetin e viktimave dhe Guatemala do të kujdeset për riatdhesimin e tyre.
Edhe në Honduras disa familje janë në zi.
Mes viktimave ishin edhe dy vëllezërit Fernando dhe Alejandro Caballero, si dhe bashkëshortja e Alejandros, Margie Tamara Paz.
Nëna e dy vëllezërve thotë se fëmijët e saj nuk gjenin dot punë aty ku jetonin ndaj dhe vendosën të largohen.
“Kemi nevojë për veprime e zgjidhje që do të ndihmonin për të ndalur migrimin e të rinjve”, thotë Karen Lara, nëna e viktimave.
Autoritetet e Guatemalës dhe Hondurasit thonë se do të mbulojnë shpenzimet për riatdhesimin e viktimave dhe se po punojnë për të ndihmuar familjet e prekura.
Incidenti është tragjedia më numrin më të madh të viktima si pasojë e trafikimit të qenieve njerëzore përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.