Lajme
Kamenica për vitin 2020, ndau afro 20 mijë euro për 355 të infektuarit me COVID-19
Demokracia
20:44 | 07 Prill 2021

Share:

Kosova, ashtu si vendet e tjera u përball nga SARS CoV-2 që nga 13 marsi i vitit 2020 kur u shfaqen dy rastet e para në vend. Përveç komunës së Prishtinës, Vushtrrisë dhe disa komunave të tjera edhe komuna e Kamenicës shprehu gatishmërinë që t’iu dal në ndihmë personave të prekur me COVID-19 nëpërmjet ndihmave financiare. Kjo komunë pranoi 355 aplikacione të qytetarëve të saj dhe ndau rreth 20 mijë euro nga buxheti i komunës për këto raste.

Ndryshe nga Komuna e Prishtinës e cila ka njoftuar se do të ketë dy lloje shumash të ndara për qytetarët e saj. Ato 50 euro për moshat nën 65-vjeçare dhe 100 euro për personat e mbi moshës 65-vjeçare, Komuna e Kamenicës ka njoftuar se do të ketë një shumë të njëjtë që do të ndajë për të gjithë qytetarët e Kamenicës që infektohen me virusi COVID.

Zëdhënësja për Komunën e Kamenicës, Margarita Rashiti për Demokracia.com tha se duke e ditur se nuk ka një buxhet të lartë, Komuna e Kamenicës ka deklaruar se do t’i mbështesë të gjithë të prekurit me COVID-19 me nga 50 euro.

‘’Komuna e Kamenicës ka subvencionuar të gjithë të prekurit nga virusi SARS-CoV-2, pa asnjë dallim. Meqenëse si komunë kemi buxhet të ulët, kemi pasur mundësinë që të ndihmojmë secilin në shumë prej 50 eurosh.’’, tha Margarita Rashiti për Demokracia.com

Komuna e Kamenicës, qytetarëve të saj të prekur me COVID-19 iu dha mundësinë që përveç formës online të aplikimit, të pranojë edhe atë me prani fizike, ku kjo komunë pranoi rreth 355 aplikacione të qytetarëve të prekur nga COVID-19 që ishin testuar përmes testit PCR.

‘’Nga aplikimi online dhe ai me prani fizike pranë njësive gjegjëse lidhur me subvencionimin rreth 355 aplikacione janë proceduar për pagesë, ku kanë aplikuar të gjithë qytetarët që kanë qenë të testuar përmes testit PCR.’’, tha Rashiti.

Vetëm gjatë viti 2020 sipas Rashitit, Komuna e Kamenicës ndau rreth 20 mijë euro për subvencionimin e qytetarëve të prekur me COVID-19. E përveç ndihmës financiare kjo komunë ndihmoi qytetarët edhe me ushqime dhe me gjëra higjienike.

‘’Shuma totale e këtij subvencionimi për vitin 2020 ishte rreth 20 mijë euro, por gjithashtu ne kemi ndihmuar me ushqim dhe me gjëra higjienike personat që kanë qenë të prekur nga virusi dhe kanë qëndruar në izolim. ‘’, tha Rashiti për Demokracia.com

Komuna e Kamenicës ka vendosur që edhe personave nën moshën 16-vjeçare tu mundësohet rimbursimi përmes llogarisë bankare të njërit prind.

‘’Ndërkaq sa i përket personave të infektuar nën moshën 16 vjeçare, aplikimi u është mundësuar përmes llogarisë së bankare të njërit prind.’’, përfundoi Rashiti.

Sipas IKSHPK-së, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Kamenica ka shënuar shtatë raste pozitive me COVID-19 dhe dy raste të vdekjes nga ky virus. Gjithashtu gjatë ditës së sotme ka filluar edhe vaksinimi i personelit shëndetësor kundër COVID-19 në qytetin e Kamenicës./Demokracia.com/

Të ngjashme