Lajme
Kamenica e vogël, plane të mëdha: 40 mijë euro për bileta avioni për zyrtarët e saj
Demokracia
14:44 | 01 Nëntor 2024

Share:

Edhe komuna e vogël e Anamoravës, Kamenica, ka orientuar një pjesë të buxhetit të saj drejt blerjes së biletave të avionit për zyrtarët e saj, shkruan Demokracia.com.

Kohët e fundit, institucionet publike si Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Zyra e Kryeministrit, etj., kanë lidhur kontrata për shërbime të transportit ajror.

Liberalizimi i vizave duket se ka bërë që edhe komunat e vogla të shfaqin interes për këto shërbime të “nevojshme”.

Kamenica, e udhëhequr nga Kadri Rahimaj, ka rekomanduar kompaninë As Travel Club për kontratën në vlerë 40 mijë euro për 24 muaj.

Ky tender lejon deri në 100 bileta për periudhën e dy viteve, me një çmim të përafërt të biletës prej 400 eurosh. Tek specifikimet e çmimeve thuhet: “Vërejtje: Vlera e biletës prej 400.00 euro është vetëm për kalkulimin e çmimit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës, pasi çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemet e rezervimit si AMADEUS, GALILEO, SABRE, apo sisteme të tjera të barasvlershme. Tarifa e shërbimit duhet të jetë me dy numra pas presjes dhjetore (p.sh. 2.55 €). Ofertat me më shumë se dy numra pas presjes dhjetore do të refuzohen në përputhje me LPP-në”.

Nga ardhja e Kurtit në pushtet, kompania “As Travel” ka marrë shumicën e kontratave për shërbimet e transportit ajror.

Së fundi, Presidenca e Kosovës ka njoftuar lidhjen e një kontrate me negocim me këtë kompani për një shumë prej 50 mijë eurosh.

Në këtë kontratë përfshihen 150 bileta me një çmim prej 390 euro për copë.

Para pak ditësh, edhe Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë rreth 40 mijë euro për blerjen e 120 biletave të aeroplanit. Saktësisht një biletë është përllogaritur të kushtojë rreth 330 euro, që në total i bie 39 mijë e 600 euro. Tenderi për këto bileta i është dhënë kompanisë “Prime Tours&Travel SH.P.K”.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë një tender për shërbimet të transportit ajror. Pesha e këtij tenderi ka vlerën e hiç më pak se 684 mijë euro. Kontrata është nënshkruar me AS travel Club. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 08 Dhjetor 2024