Lajme
“Kam dyshimet e mia për nenin 7”, “Preket Kushtetuta” | Kurti vazhdon të krenohet, por Osmani fliste me shumë dyshime për kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të Kurtit në Bruksel e Ohër
Demokracia
18:20 | 20 Prill 2024

Share:

“Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”.

Kështu ka shkruar kryeministri Albin Kurti në Facebookun e tij më 19 prill 2024, në një përpjekje të dëshpëruar për të bindur qytetarët e Kosovës se neni 7, që vlerësohet si një derë që çon në autonominë e serbëve në Kosovë, është i dobishëm për Republikën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Por, para se Kurti të mundohet të bindë qytetarët e Kosovës, ai duhet të bindë presidenten Vjosa Osmani, e cila ka shprehur hapur dyshimet e saj për përmbajtjen e Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt 2023) e arritur ndërmjet kryministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

28 SHKURT 2023 – OSMANI: ME NENIN 7 PREKET KUSHTETUTA, KUVENDI DUHET TA MIRATOJË

Vetëm një ditë pasi kryeministri Kurti kishte arritur dakordimin me presidentin serb Vuçiq për Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt 2023), presidentja Vjosa Osmani kishte shprehur dyshimet e rënda për rezultatin e negociatave të Kurtit.

“Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në deklaratën e presidentes Osmani, dërguar mediave nëpërmjet këshilltarëve të saj, më 28 shkurt 2023.

Osmani e kishte prezantuar këtë kërkesë pasi, sipas saj, kryeministri Kurti kishte pranuar në Bruksel disa propozime jo të lehta, që më vonë i kishte quajtur si koncesione.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thoshte në reagimin e saj presidentja Osmani.

Lexo më shumë:

“Noterja e shtetit” deklarohet përmes këshilltarit të saj për takimin në Bruksel: Janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta

27 SHTATOR 2023 – OSMANI KONTESTON KUSHTETUTSHMËRINË E NENIT 7

Në një intervistë për RTK-në, më 27 shtator 2023, presidentja Osmani ka zgjedhur një moment të papërshtatshëm në të cilin ndodhet Kosova për shkak të situatës së tensionuar në veriun e Kosovës, për të shpalosur dyshimet e saj për atë çfarë ka arritur në negociata kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën. I ka të mirat e saj, i ka disa gjëra që ende kam dyshimet e mia se si do të zbatohen në praktikë. Mirëpo, ne e kemi marrë obligim ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Në këtë moment ajo ishte ndërprerë nga gazetarja, duke e pyetur se për cilën pjesë është fjala, ndërsa ka marrë përgjigjen e Osmanit se bëhet fjalë për Nenin 7 (Vetëmemanxhimin për serbët) dhe Nenin 10, ku është edhe Asociacioni.

“Natyrisht tek Neni 7, te Neni 10 tash, sepse pyetjet janë sesi saktësisht do të zbatohet, por mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës”, ka sqaruar Osmani.

14 MARS 2023 – OSMANI: NENI 7 ËSHTË KONCESIONI QË KA PRANUAR KOSOVA

Presidentja Osmani edhe në një rast tjetër ka ngritur dyshimet e saj me përmbajtjen e nenit 7 të Marrëvshjes së Brukselit. Osmani e ka quajtur këtë nen si “koncesion” të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Osmani: Neni 7 në planin franko-gjerman është koncesioni që ka pranuar Kosova

Këmbëngulja e Kurtit në “suksesin” e negociimit të tij vjen në kohën kur pritet që ai të bëjë hapin vendimtar për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Së shpejti, Kurti pritet ta miratojë Statutin për themelimin e Zajednicës, pikërisht sipas propozimit të hartuar nga 5 emisarët, të cilët ia kishin dorëzuar draftstatutin më 21 tetor 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme