Lajme
Kalon Fondi Sovran: Çka paralajmëroi opozita për ligjin që Kurti po e lavdëron?
Demokracia
08:11 | 16 Dhjetor 2023

Share:

62 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar për ligjin e Fondit Sovran, duke e miratuar kështu në lexim të dytë. Në votim nuk mori pjesë opozita, veç pushteti. Megjithatë, të parët, kishin folur më herët në lidhje me këtë çështje.

Partitë opozitare, kishin paralajmëruar se do ta dërgojnë ligjin për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese nëse votohet, dhe kështu ndodhi, u votua.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kishte cilësuar se ky ligj është “mashtrim”, duke paralajmëruar dërgimin e tij në Kushtetuese.

“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton projektligjin për Fondin Sovran të propozuar nga Qeveria Kurti duke e vlerësuar si shfaqje të keqqeverisjes dhe mashtrimit të radhës të kësaj qeverie. Në realitet, ky Fond është një strukturë burokratike e pazbatueshme në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë dhe në kuadër të rendit tonë kushtetues. Nëse do të kalojë në Kuvend, ne si Grup Parlamentar i PDK-së do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese.” – kishte thënë ai.

Gati për dërgimin e ligjit në Kushtetuese ishte shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Zyrtari i këtij subjekti politik, kishte thënë se miratimi i këtij fondi krijon një konkurrencë të pabarabartë për sektorin privat.“Qeveria “kapese”, deshtoj ne tentativen per kapjen e tregut (vendimi i djeshem i Gjykates Kushtetuese, qe e shpalli antikushtetues, Ligjin pe Çmimet Tavan), njejte siç ka deshtuar ne tentativen per kapjen e sistemit te drejtesise, permes ligjeve antikushtetuese. Tani e ka rradhen nje ligj, i cili ne emer te krijimi te nje Fondi Sovran, ka per qellim futjen e duarve te Qeverise, ne ekonomine e tregut te lire, perkatesisht ne krijimin e nje konkurrence te pabarabarte per sektorin privat dhe ndermarresit. Ligji eshte ne procedure parlamentare dhe nese kalon verzioni aktual, padyshim ka baze te mjaftueshme, per kontestim ne Gjykaten Kushtetuese, pasi qe cenon themelet baze te Kushtetues, perkatesisht dispozitat qe rregullojne ekonomine e tregut te lire.” – ka shkruar ai.

Çka është Fondi Sovran?

“Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.” – thuhet në plan-program.

Fondi Sovran pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos, shkruan Nacionale.

Sipas projektligjit i cili deri më 2 prill ka qenë në konsultime publike, Fondi Sovran do të ketë një buxhet prej 20 milionë eurove.

Si e lavdëroi sot Kurti?

Kryeministri i Kosovës iu gëzua miratimit të këtij ligji. Sipas tij madje, kjo është bërë pas një pune të gjatë me donatorë, ekspertë e partnerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur.

“Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit.” – tha ai.

Të ngjashme