Lajme
Kallas kritikon ashpër Vuçiqin për vizitën në Moskë
Demokracia
17:41 | 08 Maj 2025

Share:

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka shprehur shqetësimin e saj për pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në festimet për Ditën e Fitores në Moskë, duke thënë se kjo vizitë nuk po kalohet pa u vënë re nga shtetet anëtare të BE-së.

Gjatë një konference për shtyp së bashku me ministrin e jashtëm të Polonisë, Radoslaw Sikorski, Kallas u pyet nëse kjo vizitë mund të ndikojë në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

“Nga një këndvështrim, është pozitive që ushtria serbe nuk merr pjesë në paradë. Kjo do të kishte qenë edhe më problematike. Megjithatë, të shkosh atje, përkrah Putinit, ndërkohë që ai është i përfshirë në një luftë aktuale – lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mbetet një çështje që prek ndërgjegjen e secilit”, u shpreh Kallas.

 

Ajo theksoi se vendet anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar lehtë këtë lëvizje të Vuçiqit dhe shtoi se “ka shumë pyetje për t’u bërë kur diskutojmë hapat e ardhshëm. Kush janë aleatët e tu? Me kë po qëndron në të vërtetë?”

Vuçiq mbërriti në Moskë më 7 maj, ndërsa mediat serbe raportuan se aeroplani i tij u ndal përkohësisht në Baku për shkak të situatës së paqëndrueshme mbi Ukrainë.

Sipas Kremlinit, më 9 maj është planifikuar një takim zyrtar mes Vuçiqit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Të ngjashme