Lajme
Kallas e trajton Kurtin barabar me krerët e partive të tjera
Demokracia
18:15 | 21 Maj 2025

Share:

Ndryshe nga takimet në Beograd, të cilat do t’i zhvillojë me krerët kryesorë të shtetit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar takime me krerët e katër partive kryesore në Kosovë. Pra, takimi me Kurtin do të jetë më shumë si takim me kryetarin e Vetëvendosjes sesa me dikë që është kryeministër në detyrë. Përveç kësaj, kryediplomatja evropiane nuk do të mbajë konferenca të përbashkëta për shtyp as me Vuçiqin e as me Kurtin, por vetëm me kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Kjo mund të shihet edhe si shprehje e qëndrimit tejet kritik të Brukselit kundrejt udhëheqjeve aktuale politike në Serbi e Kosovë.

21 maj 2025 – Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas nga sot ka filluar vizitën e saj treditore në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas vizitave të bëra mes 7 dhe 9 prillit në Podgoricë, Tiranë dhe Sarajevë, ky është udhëtimi i dytë i saj në Ballkanin Perëndimor.

Nga ç’bëhet e ditur nga Shërbimi për Çështje të Jashtme Evropiane (EEAS), kryediplomatja evropiane gjatë vizitës në Beograd do të takojë presidentin Aleksandër Vuçiq, kryeministrin Đuro Macut, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq, ministrin për Integrim Evropian, Nemanja Staroviq, kryekuvendaren Ana Bërnabiq si dhe grupet parlamentare të opozitës.

Me këtë rast, ajo ka paralajmëruar edhe takime me organizata studentore e aso të shoqërisë civile.

Në Kosovë, kryediplomatja Kallas do të takohet me përfaqësues partish politike dhe me organizata të shoqërisë civile.

Në kuadër të qëndrimit të saj në Prishtinë, ajo do ta vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ashtu sikurse që është paraparë edhe një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, Kallas do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Ajo, me këtë rast, do të hapë dialogun për siguri e mbrojtje mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut tok me ministrin e Jashtëm, Trade Timcho Mucunski.

Injorimi i Vuçiqit dhe Kurtit përmes konferencave

Ajo çfarë bie në sy është se kryediplomatja evropiane shfaqet mjaft e distancuar nga udhëheqjet aktuale politike në Serbi e Kosovë.

Kjo dëshmohet nga paralajmërimi i EEAS-it se ajo do të mbajë konferenca të pavarura, ku nuk është përmendur fare prania e nikoqirëve në Serbi e Kosovë.

Konferenca e saj për medie do të mbahet nesër në Europe House, në Prishtinë, e caktuar në orën 15:45.

Ndërkohë, sipas vetë njoftimit nga Brukseli, ajo do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

Gjatë vizitës së saj treditore në prill, Kallas kishte mbajtur adresime të përbashkëta me kryeministrin Milojko Spajiq në Podgoricë, kryeministrin Edi Rama në Tiranë, si dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë.

Serbia e Kosova në fund të pusit…

‘Shpërfillja’ e Vuçiqit dhe Kurtit duket se është në përputhje me kritikat e vazhdueshme të Brukselit në adresë të tyre.

Derisa përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian – Kaja Kallas, António Costa e Marta Kos – kanë dhënë mesazhe shpresëdhënëse për Shqipërinë e Malin e Zi për anëtarësim të shpejtë, ata kanë qenë tejet kritikë për Serbinë dhe Kosovës.

Serbisë i janë shkrehur kritika të shumta për ngecie në procesin e reformave, përfshirë edhe mospërputhjen me politikën e jashtme të BE-së, që u dëshmua edhe nga vizita e presidentit serb në Moskë më 9 maj.

Ndërkohë, Kosova qëndron edhe më ligsht pasi ajo që prej qershorit të 2023-s përballet me masa sanksionuese nga BE.

Siç ka shkruar ditë më parë NACIONALE, terratisja e perspektives evropiane për Kosovën po ushqehet edhe nga veprimet e qeverisë në detyrë me mbylljen e disa zyrave paralele në veri të vendit.

Në kumtesën e fundit për shtyp, Zyra për Shtyp e BE-së i ka kërkuar kryeministrit në largim, Albin Kurti, të tregojë përmbajtje e të shmanget nga masat përshkallëzuese.

Derisa janë bërë thirrje që të përfshihen në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën, kësaj të fundit i është kërkuar edhe themelimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve”, ishte thënë në porosinë e fundit të Brukselit.

Të ngjashme