Lajme
Kadare ia kishte thënë në sy presidentit francez: Ka shumë propagandë kundër UÇK-së, por ajo është e vetmja forcë me besueshmëri morale
Demokracia
20:32 | 01 Korrik 2024

Share:

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, sot ndërroi jetë. Veprat e tij janë trashëgimi e madhe për brezat e ardhshëm, jo vetëm të Kosovës e Shqipërisë, por Evropës dhe gjithë botës.

Ismail Kadare kishte mbështetur publikisht UÇK-në, marrëveshjen e Rambujesë dhe procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai ishte aktiv në mediat vendore dhe ndërkombëtare në promovimin e vlerave të UÇK-së.

Në ditarin e tij personal “Ra ky mort e u pamë”, ai kishte treguar për takimin me presidentin e Francës, Jacques Chirac, të cilin e kishte zhvilluar në vitin 1999. Ismail Kadare kishte besuar në UÇK-në dhe qëllimin e saj fisnik, mirëpo i kishte penguar propaganda e madhe që bëhej ndaj saj dhe këtë çështje e kishte ngritur edhe gjatë takimit me presidentin Chirac, shkruan Demokracia.com.

Rrëfimi i plotë:

Ngrënie mëngjesi te presidenti Chirac (Shirak), në Elysee, për Kosovën. Kur e marr fjalën, çështje e parë që ngre është ajo më e ngutshmja: të burgosurit shqiptarë, që serbët i kanë marrë me vete në Serbi. Nënvizoj faktin që midis tyre ndodhet një pjesë e elitës kulturore e politike të Kosovës. I përmend të burgosurin Nr.1 të Europës, Ukshin Hotin, filozof, historian, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës gjatë kohës së autonomisë. M. Kullashi, që rri pranë meje, shton emrin e Flora Brovinës, e gjymtuar, me sa duket, nga torturat. Presidenti tregohet i shqetësuar. Është në dijeni të kësaj dhe premton se do të bëjë çmos për ta çuar punën gjer në fund.

Çështja e dytë që ngre, është problemi i UÇK-së. Ka shumë propagandë kundër saj. Ka demonizim. Do të jetë gabim fatal përjashtimi i UÇK-së nga proceset në Kosovë. Është e vetmja forcë që ka besueshmëri morale, sidomos në sytë e të rinjve dhe adoleshentëve. Energjia e saj, e disiplinuar, natyrisht, prej kontrollit të KFOR-it duhet shfrytëzuar, sidomos për rivendosjen e vendit. Përjashtimi i saj do të shtonte radhët e të zhgënjyerve, që nuk janë pak në Ballkan dhe ndoshta të banditizmit, këtij prodhimi tipik ballkanik. /Demokracia.com/

Të ngjashme