Lajme
“Ka qenë një kurth për mua” – Kurti arsyetohet para deputetëve se pse Kosova s’ka shkruar draft-statut të Asociacionit
Demokracia
18:46 | 03 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe draft-statutin e propozuar në takimet e fundit në Bruksel. Ai ka treguar edhe arsyen pse Kosova nuk ka shkruar draft-statut të Asociacionit, derisa ka zbuluar detaje nga takimet e Brukselit.

“Pse unë insistoj në nënshkrim, sepse me datën 9 shtator të vitit 2022, kur kanë ardhur tre emisarët nga Evropa, Plotner, Born e Lajçak. E kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, në krye të herës ka qenë palët kontraktuese dhe aty ka qenë e qartë që në fund marrëveshja nënkupton nënshkrim. Unë insistoj sepse ashtu është dhënë në fillim, nuk është qasja ime, është qasja e ndërmjetësve, pra nëse nënshkrimi është marrëveshje, e ne duam marrëveshje, le ta bëjmë nënshkrimin.”, tha Kurti.

Sa i përket çështjes së mos-përgatitjes së një draft-statuti për Asociacionin nga Kosova, Kurti tha se për të ishte përgatitur “një kurth” në këtë çështje. Ai tha se nëse Kosova do të shkruante draft-statut, do të gjindej një mesatare midis draft-statutit të shkruar nga deputetja serbe, Daniela Vujiçiq dhe atij që e shkruan Kosova e që do të ishte i keq për Kosovën.

“Arsyeja pse unë konsideroj që kishte qenë gabim ta zëmë në majin e qershorin e këtij viti ta shkruajmë një draft-statut për Asociacionin është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft-statutin e deputetes së Serbisë, Daniela Vujiçiq e që është më keq se Republika Serbe, nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft-statut, për mua prej bisedimeve të brendshme ka qenë e qartë se ndërmjetësuesi ka tendencë ta gjejë mesataren dhe ajo mesatare do të ishte shumë e keqe për ne.”

“Atëherë ne do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që e shkruan Daniela Vujiçiq. Unë nuk e kam dashur atë mesatare dhe si kemi dalë prej kësaj gjendje unë kam thënë së pari duhet të pajtohemi për frymën, para se të dakordohemi për germën. Kushtetuta, letra e Mogherinit dhe e treta pati qenë qëndrimi amerikan i Chollet dhe Escobar. Njëherë le të pajtohemi, për frymën për atë që po duam, për principet e më pastaj për germën, ka qenë kurth për mua, por jam i bindur për këtë gjë, edhe më shumë sot sesa në pranverë e verë, që po të kisha shkruar unë një draft-statut do të vinin me një mesatare aritmetikore midis Daniela Vujiçiqit dhe meje si kryeministër i Kosovës dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme.”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka treguar se cilat kanë qenë vërejtjet e tij, ndërsa ka zbuluar se çfarë i kanë thënë krerët evropianë.

“Unë kam insistuar në parime dhe tash emisarët kanë ardhur me draft-statut që njëmend i respekton këto principe, mirëpo unë prap kam vërejtjet dhe kritikat e mia, unë nuk e kam pranuar draft-statutin, kurrë nuk do të kisha nënshkruar draft-statutin, por kur m’u tha nga krerët evropianë, situata është urgjente, situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thash prisni pak se marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit unë e kam pranuar, nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë, dhe unë e pranoj si pjesë të paketës, ndonëse i kam dhënë vërejtjet para dy ditëve, dhe vetëm si pjesë e paketës, jo të nxjerrët nga paketa dhe kam kërkuar nga BE-ja partneritetin për paqe dhe statusin e vendit kandidat.”, tha Kurti.

Të ngjashme