Analisti politik Jusuf Thaçi ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duhet të shkarkohet nga kjo pozitë derisa të qartësohet situata e krijuar pas raportimit të mediave sllovene ku ai është përfshirë në një skandal financiar.
Thaçi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti që mos të heshtin, mos të justifikojnë, mos të realtivizojnë dhe mos e përdorin ligjin si strehë, por të shkarkojnë ambasadorin Berishaj, përcjell Demokracia.com.
“Presidentja e Republikës së Kosovës në lidhje me skandalin në Slloveni, ku dyshohet se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, paska thënë: “Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë”. Me këtë standard të presidentes, të gjitha akuzat kundër ish-regjimit 20-vjeçar dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë të Kosovës janë të pabaza dhe jolegjitime, sepse të gjithë ata i kanë mohuar akuzat ndaj tyre, si dhe askush prej tyre nuk është dënuar nga gjykatat për ato akuza” , ka shkruar ai.
Thaçi thotë më tej se shpreson që të mos ketë të njëjtin qëndrim edhe Kryeministri Kurti.
“E nderuar Presidente Osmani dhe i nderuar Kryeministër Kurti: Mos heshti, mos justifikoni, mos relativizoni, mos e përdorni ligjin si strehë! Shkarkojeni ambasadorin e Kosovës në Kroaci urgjentisht. Morali në politikë nuk mund të reduktohet në ligj!”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se televizioni slloven “Planet TV” ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, para të gatshme, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e transportuesit të parave e ka kryer Berishaj. /Demokracia.com/