Lajme
Ekonomistët dhe juristët me mendime të ndryshme për pezullimin e tarifave të ZRrE-së
Demokracia
19:54 | 09 Prill 2022

Share:

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), më 8 shkurt të këtij viti kishte marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Tarifat për shtrenjtimin e energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022 dhe ishte paraparë të zbatoheshin deri më 31 mars të vitit 2023.

Por, vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike e ka pezulluar Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 të paditurës ZRRE me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses” thuhej në vendimin e gjykatës, përcjell Demokracia.com.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, vendimin e Gjykatës Themelore e sheh të drejtë dhe në favor të qytetarëve të Kosovës.

“Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, përveç që është i drejtë, njëherit ka treguar që është i pavarur dhe padyshim që është në favor të jetës së qytetarëve”, ka thënë Kadriaj në një përgjigje për Demokracia.com.

Kadriaj ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar në jetën e qytetarëve.

“Sa ka ndikuar në jetën e qytetarit rritja e çmimit të energjisë elektrike padyshim që jemi dëshmitarë që në këtë kohë janë rritur edhe çmimet në të gjitha produktet dhe shërbimet në vend, në këtë rast edhe energjia elektrike”, ka thënë ai.

Eksperti i ekonomisë ka vlerësuar se në vendimet e tjera të gjykatës duhet të bëhet edhe kompensimi i qytetarëve për pagesën e faturave të energjisë elektrike.

“Se a duhet të ketë një vendim tjetër të gjykatës vlerësoi që po, për faktin që duhet të kompensohen qytetarët për atë ndryshim të pagesës që kanë bërë. Njëherit nuk mjafton vetëm të anulojë vendimin e ZRrE-së, por duhet të shkojë më tutje për këtë vendim dhe ZRrE duhet të gjobitet. Pra, të ketë edhe një efekt juridik për faktin që të jetë leksion për herët tjera, që nuk duhet të jetë mbi ligjin. ZRrE nuk duhet të jetë mekanizëm i Qeverisë dhe as i kompanisë në fjalë, por në interes të qytetarit”, ka thënë Mustafaj për Demokracia.com.

Por, ky vendim i gjykatës po vlerësohet si jo meritor nga Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, sipas të të cilit për pasojat e mëtejme është herët të flitet.

“Gjykata nuk ka vendosur në mënyrë meritore në këtë rast, por ka caktuar masën e sigurisë deri në vendosjen sipas meritës, sikurse ky vendim nuk paragjykon vendimin e gjykatës. Edhe pse kjo masë e pezullon vendimin e ZRrE-së, ndaj kësaj mase mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit. Në këtë drejtim, pa u vendosur në bazë të meritës në këtë çështje është herët të flitet lidhur me ligjshmërinë e vendimit të ZRrE-së”, ka thënë Miftaraj për Demokracia.com.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, Ferat Shala, ka thënë se vendimi i gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike.

Shala ka paralajmëruar se shumë shpejt do të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar, ku do të zbardhen të gjitha keqpërdorimet e Qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike, shkruan Demokracia.com.

“Vendimi i gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim i gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e Qeverisë gjatë krizës energjetike. Ne do të vazhdojmë që me të gjitha mjetet demokratike që këtë paligjshmëri, pabarazi, këtë diskriminim në faturim dhe në tërë sektorin menaxhues ta ndërpresim me mjete demokratike”, ka thënë Shala.

Çmimi i energjisë elektrike është ngritur në mënyrë enorme për herë të parë në Qeverinë e Albin Kurtit, përkundër që ai kishte premtuar se edhe energjia elektrike do të lirohej në qeverisjen e tij./Demokracia.com/

Të ngjashme