Lajme
Juglindja e Shqipërisë përfshihet nga reshjet e borës, disa akse problematike
Demokracia
20:39 | 07 Janar 2024

Share:

Pasditja e 7 janarit e ka parë juglindjen e Shqipërisë të zbardhur nga reshjet e borës, ku nuk kanë munguar edhe bllokimet e përkohshme në disa akse të vendit.

Në rrugën lidhëse Lozhan-Moglicë, situata raportohet se është nën kontroll dhe se borëpastrueset ndodhen në terren për pastrim dhe kriposje.

Ndërkohë autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirët.

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm zona e juglindjes u përfshi nga reshjet e dëborës në lartësinë mbi 700 metra.

Reshje intensive të borës u regjistruan në majën e Mashkullorës ku trashësia e dëborës shkoi deri në 50 centimetra.

Që prej orëve të para të mëngjesit ekipi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ndodhet në terren për pastrimin e borës në aksin rrugor Shtyllë – Mashkullorë – Panarit.

Ndërhyrje ka pasur edhe në segmente të tjera siç është rruga Boboshticë-Dardhë në të cilat është punuar për pastrim dhe kriposje.

Kontraktorët ndodhen në gatishmëri në të gjitha segmentet rrugore dhe akset nacionale.

Aktualisht nuk raportohen problematika me qarkullimin ndërsa sa i përket energjisë elektrike gjatë ditës së sotme ka pasur mungesë të energjisë elektrike në fshatra të thellë malor për shkak të amortizimit të rrjetit.

Sakaq, dëbora në qarkun e Korçës ka ulur ndjeshëm edhe temperaturat.

Të ngjashme