Lajme
“Jo në emrin tim”| PSD dhe OVL-UÇK mbledhin mbi 1 mijë qytetarë kundër Gjykatës Speciale
Demokracia
14:39 | 24 Dhjetor 2022

Share:

Ka filluar  protesta e organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër Gjykatës Speciale.

Kjo protestë ka për qëllim kundërshtimin e Gjykatës Speciale. Protesta me moton ‘Jo në emrin tim’ po mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.

Protesta pason vendimin e Gjykatës Speciale kundër ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili u dënua me 26 vite burgim.

Në protestë shihen një numër i madh i qytetarëve, duke mbajtur në pankartat e tyre emrin e Sali Mustafës si dhe flamurin e UÇK-së.

Me pankarta “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Gjykatë Speciale-Padrejtësi Speciale”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, qindra qytetarë po kundërshtojnë dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa nga Gjykata Speciale, protestë kjo, e cila po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet.

Protestën po e përkrahë edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi.

Ndërkaq, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ditë më parë në një konferencë për media ka thënë se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia. Partia Socialdemokrate (PSD) i ka dërguar gjithashtu shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.

Të ngjashme