Lajme
Jo efikasiteti gjyqësor dekurajon investimet e huaja
Demokracia
13:38 | 28 Janar 2021

Share:

Përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë, në kuadër të forumit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë vlerësuar se stagnimi i miratimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale është pasojë e jo stabilitetit politik në vend dhe nënvizuan se në rrethana të tjera ai do të fuqizonte sistemin juridik.

Në forumin virtual me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë u tha se krijimi i gjykatës do të përmirësonte mjedisin e të bërit biznes dhe njëkohësisht të gjitha metodat ligjore, përfshirë arbitrazhin dhe ndërmjetësimin, do të ndërlidheshin me këtë gjykatë.

Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë diskutuan edhe rreth çështjeve të efikasitetit të gjykatave, zgjidhjes së çështjeve komerciale gjatë periudhës së pandemisë, si dhe nevojës së promovimit të metodave alternative për zgjidhje të kontesteve.

Mahir Tutuli, gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën e Apelit tha se sistemi gjyqësor në vend është përballur me sfida të mëdha, me theks të veçantë pas shpërthimit të pandemisë, pasi që masat antiCovid lejonin vetëm trajtimin e çështjeve esenciale, pa prezencë fizike.

Sipas Tutulit, edhe pse ekziston baza teknike për të mbajtur seanca virtuale, varësisht nga natyra e rasteve, pjesa dërmuese e sfidave me të cilat po përballet gjyqësori në Kosovë do të zgjidheshin nga krijimi i Gjykatës Komerciale. Rreth kësaj çështje, ai tha se e njëjta duhet të trajtohet me prioritet pasi që kjo gjykatë do të përmirësonte dukshëm mjedisin e të bërit biznes në vend, ndërsa fuqizimi i kornizës ligjore për zgjidhjen e kontesteve komerciale do të rriste sigurinë dhe do të tërhiqte investitorët e huaj.

Tutuli theksoi edhe nevojën për promovimin e metodave alternative për zgjidhjen e kontesteve, siç është arbitrazhi, vendimet e të cilit njihen nga gjykatat, si dhe lehtësojnë punën e tyre.

Avokati Taulant Hodaj theksoi nevojën për krijimin e kushteve për mbajtjen e seancave virtuale, për të evituar mbingarkesën e gjykatave, si dhe për të përshpejtuar proceset gjyqësore për palët që kanë raste aktive në këto gjykata, shkruan KP.

Duke u ndërlidhur me Gjykatën Komerciale, Hodaj tha se duhet të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, pasi që në rrethanat ku ndodhemi, kjo gjykatë do të fuqizojë sistemin juridik në vend, si dhe zhvillimin e bizneseve. Ai tha se metodat ligjore, siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi ndërlidhen me veprimtaritë e Gjykatës Komerciale andaj, organizatat si Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, akterët e tjerë relevantë dhe institucionet shtetërore duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ngritur nivelin e njohurisë për ekzistencën e këtyre metodave, me theks të veçantë në komunitetin e biznesit. Hodaj përmbylli forumin duke theksuar se arbitrazhi rekomandohet rregullisht nga përfaqësuesit ligjor, thuhet në komunikatën për media të OEAK-ut.

Të ngjashme