Lajme
Jevtiq thotë se “Fondi i Sigurisë” s’dërgon porosi të mira për bashkësinë serbe
Demokracia
18:51 | 02 Mars 2022

Share:

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se situata në Ukrainë mund të destabilizojë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor për shkak të çështjeve të pambyllura mes vendeve.

“Personalisht jam i shqetësuar për zhvillimet në Ukrainë dhe për pasojat që mund t’i kenë jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në gjithë botën. Për këtë arsye them se shpresoj që kjo luftë të pushojë sa më parë, sepse ajo nuk i sjell askujt asgjë të mirë në këtë moment”.

“Sa i përket vet Ballkanit Perëndimor kemi shumë çështje të hapura, të cilat janë parakusht i një diçkaje që mund të sjellë destabilizimin e gjithë rajonit. Dhe për këtë arsye të gjithë ne së bashku, sidomos liderët e vendeve në Ballkanin Perëndimor, duhet të jenë të guximshëm dhe të parandalojnë çdo eskalim dhe tension në të ardhmen”.

Jevtiq, në një intervistë për Klan Kosovën, ka thënë se efektet e krizës së Ukrainës po i shohim çdo ditë sepse, sipas tij, janë edhe politike edhe ekonomike”.

I dyti i Listës Serbe ka folur edhe për “Fondin e Sigurisë” që u hap nga Qeveria e Kosovës me qëllimin për të kontribuar për forcimin e sigurisë shtetërore.

Jevtiq, që si ish-ministër për Komunitete dhe Kthim kishte kundërshtuar shndërrimin e FSK-së në ushtri, thotë se ky fond s’përçon mesazhe të mira për bashkësinë serbe.

“Edhe ky është vendim i shumicës politike të momentit në Kosovë. Ata kanë të drejtë për kësi vendimi. Mendoj se në përgjithësi ne nuk do të duhet të kemi një situatë në të cilën angazhimi për fuqizim ushtarak konsiderohet si prioritet. Unë më shumë angazhohem për fuqizim ekonomik. Dhe këtë e kam bërë edhe sa kam qenë në qeverinë e Kosovës, si dikush që artikulon qëndrim të qartë kundër themelimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe në përgjithësi këtyre proceseve. Personalisht jam i mendimit se këto procese nuk dërgojnë porosi të mira për bashkësinë serbe. Dhe shpresoj sinqerisht se këto procese nuk do të shpiejnë deri te rrezikimi i popullit serb në Kosovë. Dhe në përgjithësi shpresoj se nuk do të ketë hapje tensionesh të reja midis popujve në këto hapësira”.

Të ngjashme