Lajme
Jeremiq: Nëse Vuçiq e pranon marrëveshjen, do të bëjë tradhti të lartë
Demokracia
10:47 | 27 Shkurt 2023

Share:

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, ka thënë se nëse të hënën, më 27 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranon planin sipas të cilit Kosova “do të bëhet” shtet, ai do të bëjë tradhti të lartë, sigurisht më të madhe që ka përjetuar Serbia në këtë shekull apo ndoshta në përgjithësi dhe se do të pasojnë një sërë pasojash.

Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ishte një fatkeqësi kombëtare, ka shtuar Jeremiq në një editorial në portalin Nova.rs.

Ai ka thënë se kjo do të thotë se Vuçiq, në emër të Serbisë, ka pranuar në mënyrë juridikisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme që Kosova është shtet, transmeton Paparaci.

“Pavarësisht gjithë propagandave me të cilat po përpiqen të mbulojnë këtë, çështja është shumë e thjeshtë. Duke qenë se Serbia është shtet, nëse pajtohet për barazi me Kosovën, do të pranonte pa mëdyshje që edhe Kosova është shtet. Qëndrimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare mund të figuroj ose jo shprehimisht në marrëveshje, por kjo nuk bën dallim”, ka thënë Jeremiq.

Ai ka theksuar se “pasojat e kësaj tradhtie nuk do të ishin asgjë më pak se tragjike” dhe se pavarësia e Kosovës së shpejti do të njihet nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë bërë këtë deri më tani.

Pas kësaj, vlerësoi Jeremiq, Kosova do të ishte pranuar menjëherë në NATO dhe në Këshillin e Evropës, ​​dhe OKB-ja dhe UNESCO-ja do të ishin të radhës”.

“Për pak vjet, Shqipëria dhe Kosova do të shkrihen zyrtarisht në një shtet të vetëm shqiptar, i cili do të kishte aspirata të mëtejshme territoriale ndaj Serbisë, por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, çka do të sillte pashmangshmërisht në tensione dhe konflikte të reja. Pavarësisht se çfarë do të shkruhet në letër për Kishën Ortodokse Serbe, të gjitha kishat dhe manastiret “tona” në “krahinë” do të merreshin dhe do të shqipëroheshin brenda një dekade”, theksohet në vlerësimin e Jeremiqit.

Të ngjashme