Lajme
Jeremiq: Mos ta lejojmë Vuçiqin ta nënshkruaj marrëveshjen që Kosovës ia siguron ulësen në OKB
Demokracia
17:39 | 11 Shkurt 2023

Share:

Pa nënshkrimin e Beogradit për marrëveshjen që mundëson anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB), kjo nuk mund të ndodhë, sepse po të ishte e mundur, do të ishte bërë gjithë këto vite, tha kryetari i Partisë Popullore të Serbisë dhe ish ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq.

Jeremiq ka vlerësuar se falë opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, varet ekskluzivisht nga Serbia nëse Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, transmeton Demokracia.com.

“Për këdo që do të guxonte të shkonte në drejtimin e pranimit të karriges së Prishtinës në OKB, që do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së atij shteti të rremë, rënia nga pushteti do të jetë problemi më i vogël nga gjithçka që do t’i ndodhë”, tha Jeremiq në Shid.

“Nëse të gjithë ne të pranishëm në Shid sot do të nënshkruanim një lloj deklarate për pavarësinë e Shidit, nuk do të shkelnim të drejtën ndërkombëtare, por nuk do të krijonim “Republikën e Shidit”. Po ashtu edhe shqiptarët – nuk e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, por nuk e kanë krijuar shtet, nga Serbia varet nëse do ta kenë”, ka thënë tutje ai.

Ai beson se çështja e Kosovës do të jetë “temë në krye të temave” në fushatën për zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm në Serbi.

“Në asnjë rast nuk duhet të brohorasim për Aleksandar Vuçiqin që të nënshkruajë një marrëveshje që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, sepse kjo do të ishte një tragjedi brezash”, tha Jeremiq. Nuk na bën dobi edhe nëse 90 ditë pas këtij nënshkrimi vijmë në pushtet, sepse dëmi i interesave kombëtare do të ishte i përhershëm dhe i pariparueshëm, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme