Lajme
Jep dorëheqjen ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë
Demokracia
09:03 | 11 Prill 2025

Share:

Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, Bridget Brink, po largohet nga detyra, ka konfirmuar të enjten një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në një zhvillim që shton pasigurinë në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit.

Agjencia Reuters raportoi më herët se Brink po shqyrtonte mundësinë të jepte dorëheqje dhe të largohej krejtësisht nga shërbimi diplomatik, sipas një zyrtari amerikan dhe dy personave të tjerë të njohur me këtë çështje, transmeton Klankosova.tv.

“Ambasadorja Brink po jep dorëheqje. Ajo ka qenë ambasadore atje për tre vjet – që është një kohë e gjatë për një zonë lufte”, thuhet në përgjigjen me e-mail nga Departamenti i Shtetit.

Brink ishte emëruar në këtë post nga ish-presidenti Joe Biden dhe ka shërbyer në Kiev që nga maji i vitit 2022. Burimet bëjnë të ditur se ajo po largohet me dëshirë personale.

Me largimin e saj, Brink bëhet një nga diplomatet më të larta të karrierës që braktisin Departamentin e Shtetit që nga marrja e detyrës nga Presidenti Donald Trump më 20 janar.

Ajo i bashkohet zyrtarëve të tjerë me përvojë shumëvjeçare që janë tërhequr, përfshirë edhe zyrtarin numër tre të agjencisë, John Bass./Klankosova.tv.

Të ngjashme