Lajme
Jep dorëheqje zv.drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka
Demokracia
15:01 | 09 Dhjetor 2022

Share:

Naim Uka ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë.

Dorëheqja e Ukës lidhet me zhdukjen e disa mostrave nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka denoncuar zhdukjen edhe të disa mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona. Sipas informacioneve, vetëm tre persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ministria e Drejtësisë (MD) kishte njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Sipas njoftimit të MD-së, pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të katër zyrtarëve.

Të pezulluarit janë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, ka pasur edhe reagime nga subjektet opozitare, duke kritikuar Haxhiun.

Të ngjashme