Lajme
Jep dorëheqje funksionari i PDK-së në Gjilan
Demokracia
00:19 | 05 Shkurt 2022

Share:

Ish-asamblisti i PDK-së në Gjilan, Riza Avdyli, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit në këtë subjekt politik.

Lajmin e bëri të ditur vet ai nëpërmjet një postimi në Facebook, teksa shtoi se kjo ka ndodhur “për shkak të mospajtimeve që kam për nëpërkëmbjen e partisë nga disa individë të cilët partisë i kanë sjellë vetëm denigrim dhe degradim, me lojën e tyre oportuniste, të cilët në PDK kanë parakaluar vetëm për qëllimet e veta meskine, vetëm kur ajo ka pasur qasje në sadopak pushtet”.

“Të them po dorëhiqem nga dega e PDK-së në Gjilan, i bie të tërhiqem nga puna dhe kontributi im disavjeçar në këtë parti, dhe të quhet e zhbërë çdo punë e imja aty duke dalë pa asnjë meritë. Një i painformuar mund të keqkuptonte ose ta kuptonte këtë si një revansh për qëllime personale apo të panjohura”, shkroi ai.

“Unë për këto 18 vite në PDK, përherë i kam dhënë PDK-së dhe konfliktin e kam me ata që i kanë marrë dhe duan t’i marrin. Andaj më e drejta në këtë rast do të ishte të kuptohej që unë refuzoj të vazhdoj me këtë mentalitet të pandryshuar, me qasje joparimore e korruptive të udhëheqjes së partisë, duke shpërfillur statutin e partisë, duke anashkaluar kryesinë e partisë në marrjen e vendimeve, e duke anashkaluar edhe anëtarët e partisë në emërime”.

Ai po ashtu dërgoi edhe një mesazh për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, të cilët gjenden në Hagë.

“Duke mbetur me besim të plotë një votues i PDK-së, falënderoj nga zemra të gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët, ata që ia deshën dhe ia duan të mirën PDK-së, ata që më ngritën e më mbështetën në aktivitetin tim të gjatë në parti. Në mungesë dhe me keqardhje, falënderoj edhe dy liderët tani të privuar nga liria, Thaçi dhe Veseli, të cilët më nderuan me përgjegjësitë dhe besimin që ma dhanë gjatë kësaj kohe, në disa procese që kaluam si parti”, shtoi ai.

“Vetëm për një gjë më vjen keq. Që largohem në një kohë kur z.Thaçi dhe z.Veseli nuk janë këtu. Gjë për të cilën, besoj se ata prej të cilëve po detyrohem të largohem, është e mirëseardhur. Siç thotë shprehja “Kur mungon Luani, edhe Majmuni behet mbret”. Me këtë rast, një falënderim të veçantë edhe për mikun dhe kryetarin aktual të PDK-së, z. Memli Krasniqi, me të cilin patëm rast të punojmë për vite me radhë”.

Të ngjashme